Futbollistët e huaj, të kesh apo mos kesh?Shumë prej tyre kanë qenë një dështim i madh financiar për presidentët. Pas kolonisë braziliane, tashmë ajo serbo-kroate dominon futbollin tonë modest

Publikoje ne:
Te Dinamo e Tiranës ekziston një “koloni” argjentinase, te Apolonia e Fierit mbizotëron klani “serb”, ndërsa te Skënderbeu i Korçës me nuanca kroate. Besa dikur e “pushtuar” nga afrikanë, meksikanë e haitainë me pasaportë franceze, tashmë nuk ka asnjë të huaj jo-shqiptar në gjirin e saj. Gjithsesi, te verdhezinjtë e Bizhdilit janë tre futbollistë kosovarë. Të paktën tek të 12 skuadrat e Superligës të sezonit 2009-2010 militon një futbollist i huaj. Kombësitë janë të ndryshme, maqedonase, serbe, kroate, braziliane, malazeze, nigeriane, zambiane. E shumë syresh i gjen edhe në Kategorinë e Parë, te Bylisi, Dajti, Elbasani, Turbina madje dhe në të Dytën, si në Mamurras (Ambruzo) apo dhe në Kukës (Achile). Gjithsesi numri i tyre ka ardhur duke u reduktuar nga sezoni në sezon, kjo edhe për shkak të rregullit të vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku një skuadër nuk mund të hedhë në fushë gjatë një ndeshjeje më shumë se 5 futbollistë të huaj.
Dilema e madhe
Dilema mbi dobishmërinë e tyre dhe ndikimin pozitiv në rritjen e cilësisë është e madhe. Madje shpesh shndërrohet në një debat të nxehtë dhe të përsëritur midis specialistëve dhe ekspertëve të futbollit. Pasi janë më të paguar sesa futbollistët shqiptarë. Dhe në Shqipëri kjo ndodh prej 12 vjetësh, kur braziliani Edu de Souza u ble në vitin 1997 nga Lushnja e sponsorizuar nga firma piramidale e Rrapush Xhaferrit. Të dobishëm, apo nuk kanë dhënë asnjë kontribut në progresin cilësor të futbollit shqiptar. Të huajt vazhdojnë të jenë një temë e diskutuar në topkëmbën shqiptare. Në fakt, të huajt e parë në futbollin shqiptar datohen para vitit 1945, në kampionatet e zhvilluara në vitet 1930-1939. I pari mbetet një italian. Portieri Xhakomino Pozelli, i cili ka mbrojtur fanellën e Flamurtarit të Vlorës e të Tiranës, por dhe me ekipin Kombëtar shqiptar, kampion i Ballkanit, 1946 (13 tetor 1946), ku morrën pjesë Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Jugosllavia. Fluksi i vërtetë i “përmbytjes” së kampionatit shqiptar me të huaj nisi në vitin 1997, kur në Lushnjën e financuar atëherë nga fondacioni piramidal “Xhaferri” mbërriti braziliani i parë Edu de Souza, i transferuar nga skuadra greke e kategorisë së tretë, Panaigialios. Te verdhejeshilët luajtën në janar të vitit 1997 edhe braziliani tjetër Dos Santos e nigeriani Nosa. Lushnja pati luksin të ketë trajner edhe një emër të madh si argjentinasi Mario Kempes, i vetmi kampion bote që ka drejtuar në Shqipëri. Kempes nënshkroi një kontratë 2-vjeçare më 21 dhjetor 1996, me një vlerë prej 350 mijë dollarësh në vit, plus një rroge mujore 1500 dollarë. Aventura e tyre zgjati shumë pak për shkak të trazirave të periudhës së mbrapshtë të vitit 1997. Duke parë dhe statistikat e lojtarëve të huaj, vetëm pak prej tyre kanë lënë gjurmë e kujtohen edhe sot. Mesfushori virtuoz hungarezi Zoltan Kenesei u shpall me Tiranën, mbrojtësi i Vllaznisë e Partizanit, kongolez-gjermani Sasha Delain u dallua për lojën e fortë mbrojtëse. Regjisori brazilian Zheradinjo me fantazinë e tij u dha gjallëri mesfushës së Partizanit, Vllaznisë, Lushnjës e Apolonisë.
Paguhen shumë, por shënojnë pak
Nëse në kampionatet e huaja lojtarët më kombësi tjetër nga kampionati i vendit ku ata aktivohen, është normale që fitojnë “Këpucën e artë’, sezonin e kaluar, bie fjala në Serinë A në Itali, golashënuesi më i mirë ishte Zlatan Ibrahimoviç i Interit, (25 gola), në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë që një i huaj të fitojë këtë trofe individual. Gjithsesi, disa prej tyre kanë qenë pranë. Në sezonin 2005-2006 senegalezi El-Haxhi i Dinamos fitoi “Këpucën e artë” për të huajt, duke shënuar 16 gola, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë. Në sezonin 2006-2007 ishte kongolezi Sasha Delian i Vllaznisë ai që u shfaq në rolin e protagonistit. Në sezonin 2007-2008, kroati Pero Pejiç, me 18 golat e realizuar, u rendit i dyti pas Vioresin Sinanit (20 gola). Gjatë 5 javëve të para të sezonit aktual spikasin kroatët Gurrib (3) dhe Rukavina (2 gola) - të dy me Skënderbeun- , serbët Mlladen Bërkiç (2) e Sead Haxhibuliç (2) me Apoloninë, braziliano-kroati Alvizh (1) me Flamurtarin dhe argjentinasi Malarcane (2 gola) me Dinamon.
Kampionët e huaj në Shqipëri
Ka disa lojtarë të huaj kampionë në Shqipëri. Tirana, kampione e sezonit 1999-2000, kishte në gjirin e saj katër lojtarë hungarezë: Zoltan Kenesei, Peter Sutori, Laszlo Vukovics dhe Matyas Lazar. Vllaznia, kampione e sezonit 2000-2001, kishte portier malazezët Milos Krstaiç, Sasha Marash dhe Serdjan Radonjiç. Dinamo, kampione e sezonit 2001-2002, kishte në gjirin e saj ukrainasin Sergei Romanshin. Tirana kampione e sezonit 2002-2003 kishte në formacionin e saj nigerianin Emanuel Egbo, holandezin Jan Veenhof dhe italianin Daniele Zakanti. Elbasani, kampion në sezonin 2005-2006, pati në gjirin e tij nigerianin Abraham. Tirana, kampione e sezonit 2006-2007, kishte brenda edhe kamerunasin Abada Fish, kolumbianin Diomedes Penja dhe nigerianin Abraham. Te Dinamo, kampione e sezonit 2007-2008, ishin katër kroatë: Goran Vinçetiç, Goran Graniç, Pero Pejiç e Dario Bodrusiç, si dhe nigeriani Abraham e senegalezi Pape Diop. Sezonin e kaluar te Tirana ishin maqedonasi Pece Korunovski, kroati Toni Pezo, nigeriani Abraham Alecheneu dhe shqiptaro-kroati Lekë Kcira.
Kur “derën” ta mbyll i huaji
Italiani Xhakomo Pozelli është dhe i pari portier i huaj që ka luajtur me një skuadër shqiptare, Flamurtarin e Tirannë, madje ka mbrojtur edhe portën e ekipit tonë kombëtar në fillimet e tij. Në sezonin aktual aktivizohen dy portierë të huaj. Te Tirana luan maqedonasi Pece Kuronosvki dhe te Skënderbeu, Marian Tomashiç. Pas viteve ‘90 portierët e huaj janë më shumë të pranishëm në skuadrat tona, duke filluar me nigerianin Emanuel Egbo (luan aktualisht te Bylisi), egjiptiani Naser (ka luajtur me Tiranën në kohën e ish-presidentit El-Sajed), polaku Premislav Norko (Partizani), kongolezo-francezi Gutemberg (Partizani). Te Vllaznia është aktivizuar gjermani Lutz Phanevstil, te Besa shqiptari nga Maqedonia, Suad Zendeli (më parë ka luajtur edhe për Dinamon e Apoloninë), maqedonasi Mirselovski te Bylisi
Sezoni 2009-2010, Superliga me 38 lojtarë të huaj
38 lojtarë të huaj të mirëpaguar në një kampionat shqiptar i thonë realisht “ndal!” në mënyrë të pamëshirshme formimit, zhvillimit dhe shfaqjes së talenteve shqiptare të futbollit tonë modest. Ja dhe numri i tyre sipas ekipeve:
APOLONIA: 6
Apolonia e Fierit e këtij sezoni ka pesë lojtarë në gjirin e saj, ku mbizotëron “flamuri” serb përfaqësues: Semir Haxhibuliç, Sead Haxhibuliç, Mladen Kërkiç, Kenan Ragipoviç, Edin Ferizoviç,
GRAMOZI: 6
Gjatë këtij sezoni nën urdhrat e ish-trajnerit Ilir Qirjako e atij aktual Agim Canaj janë Markos Dos Santos, Jurandir Rodrigues Oliveira, Leonardo Martins dhe maqedonasi Alesandër Gosevki. Në formacionin kolonjar janë dhe kosovarët Liridon Kukaj e Shpëtim Babaj. Charles Ofojeh. Edhe trajneri aktual i Apolonisë është një serb, Esat Karishik.
DINAMO: 5
Blutë herë janë shfaqur në variantin afrikan, herë në atë latino-amerikan dhe së fundi në versionin argjentinas. Dinamo e sezonit 2009-2010 ka në gjirin e vet tre futbollistë argjentinas: Lukas Malarkane, Rafael Alfredo de Soza dhe Nikolas Delmonte. I përjetshëm është senegalezi Papa Diop. Serbi Marko Putincanin kompleton legjionin e huaj.
FLAMURTARI: 4
Trendi kroat ka kohë që “fryn” në Vlorë. Braziliano-kroati Roberto Alviz shoqërohet nga kroatët Darko Djukiç e Marko Bashiç si dhe nga braziliani Flavio Zhunior.
SKËNDERBEU: 4
Skuadra korçare është në version kroat, nga porta në sulm: Marian Tomashiç, Antonio Rukavina, Milain Guerrib, Matko Djamati.
VLLAZNIA: 4
Te Vllaznia luajnë aktualisht edhe kosovari Ilir Nallbani, malazezët Zeljo Mrvaljeviç e Blaze Rajoviç si dhe braziliani Leandor Pinto.
BESA: 3
Skuadra kavajase në sezonin 2006-2007 kishte 10 lojtarë joshqiptarë. Në sezonin aktual ka tre lojtarë: Liridon Leci, Gëzim Krasniqi, Alban Dragusha.
TIRANA: 2
24- herë kampionët gjithmonë janë dalluar lojtarë të huaj cilësorë, qofshin këta hungarezë, holandezë, maqedonas, kamerunas, nigerianë, francezë, peruanë e të tjerë. Aktualisht në dispozicion të bluve janë maqedonasi Pece Korunovski dhe nigeriani Abraham Alecheneu, pavaësisht sezonin e nisi edhe francezi Laurent Mohelebi.
SHKUMBINI: 2
Peqinasit i kanë pasur traditë lojtarët e huaj. Aktualish në forcë me Shkumbinin janë: boshnjaku Ahmed Mujdragiç, maqedonasi Sasho Gjoreski.
KASTRIOTI: 1
I vetmi lojtar i huaj i regjistruar në gjirin e krutanëve të Ramazan Ndreut është afrikani nga Zambia, Januari Ziambo, por në listë cuditërisht është dhe kroato-shqiptari Pllumb Jusufi.
TEUTA: 1
Skuadra durrsake ka në gjirin e saj kosovarin Berat Hyseni.
LAÇI: 0
Asnjë lojtar i huaj nuk figuron në kampin e laçjanëve.
Surpriza Gramozi në versionin “samba”
Kur Gramozi i Ersekës u ngjit për herë të parë në Kategorinë Superiore, pasi mundi në play-off Bylisin me rezultatin e bujshëm 5-2, një meritë të padiskutueshme patën tre futbollistë brazilianë: Marko Dos Santos, Leonard Martins dhe Rodriguez Oliveira, por dhe Abduraman Muhamadou (nigerian) dhe Aleksandër Trajanavoski (maqedonas). Gjatë këtij sezoni nën urdhrat e ish-trajnerit Ilir Qirjako e atij aktual Agim Canaj janë Markos Dos Santos, Jurandir Rodrigues Oliveira, Leonardo Martins dhe maqedonasi Alesandër Gosevki. Në formacionin kolonjar janë dhe kosovarët Liridon Kukaj e Shpëtim Babaj.
E Hene, 05 Tetor 2009