E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbollistët shqiptarë në Europë

Tare, vetëm 10 minuta ndaj Torinos
Sulmuesi shqiptar i Lacios, Igli Tare, e ka nisur nga stoli takimin në transfertë me Torinon. Trajneri lacial Delio Rosi, ndryshe nga takimet e fundit, ka preferuar si titullar blerjen e re, italianin Bianki. Ish-kapiteni i kombëtares është futur në minutën e 80-të, duke zëvendësuar Pandevin. 10 minutat e fundit nuk i mjaftuan shqiptarit për të treguar vlerat e tij, por ajo që vlen të theksohet për momentin, është se Tare po kalon një formë të mirë. Ndërkohë, ndaj Torinos, bardhekaltërit nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola.
Bushi, asist dhe karton të verdhë
Veterani i kombëtares, Alban Bushi, ka konfirmuar dje formën e shkëlqyer, duke dhënë gjithçka për Apollon Kallamarianë, që dje humbi 2-1 në transfertë me Panioniosin. Pas një pjese të parë në hije, sulmuesi kuqezi u bë protagonist kryesor për selanikasit. Në minutën e 54-t, falë një asisti perfekt të Bushit, i cili më parë kishte tribluar dy mbrojtës, Karaliopulos kaloi në avantazh Apolloninë. Por ekipi i "Lokut" nuk mundi ta ruante këtë rezultat dhe në një hark të shkurtër kohor pësoi dy gola. Bushi u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 78-të, ndërsa në të 84-ën u zëvendësua. Ndërkohë, për Panioniosin, shqiptari Albi Kondi nuk u aktivizua.
Vangjeli mungon ndaj Olimpiakosit
Kristi Vangjeli nuk është aktivizuar asnjë minutë në takimin më të rëndësishëm të javës së 18-të të superligës helene, Olimpiakos-Aris. Korçari që është pjesë e verdhezinjëve të Arisit, nuk është preferuar nga trajneri Dushan Bajeviç, madje as në 3 zëvendësimet që ky i fundit kreu. Konkurenca për një vend në repartin difensiv me brazilianin Aurelio, ka bërë që 22 vjeçari të mos ketë një aktivizim konstant këtë sezon. Ndërkohë, selanikasit e humbën minimalisht 1-0, takimin me Olimpiakosin.
Beqaj dhe Anorthosisi, me një hap
Arjan Beqaj ka shijuar një tjetër fitore me Anorthosis Famagusta. Ekipi kryesues i kampionatit qipriot, ku aktivizohet portieri kuqezi, mundi dje 2-1 Aek Larankën. Si zakonisht, Beqaj ishte titullar dhe pavarësisht se pësoi gol në minutën e fundit të pjesës së parë, Anorthosisi i tij arriti të kalonte përsëri në avantazh. Me këtë fitore, ajo udhëheq e sigurt klasifikimin, e shkëputur nga Apoeli i Altin Haxhit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›