"Përse duhet të vijë Ftesa?"
Do vijë apo nuk do vijë ftesa për NATO? "Ftesa" mund të mos vijë sepse administrata shqiptare është nga më të korruptuarat në botë, ndërsa politika shqiptare po përpiqet të maskojë ekzistencën e korrupsionit. Shembulli më qesharak është pelegrinazhi i politikanëve në një kantier ndërtimi në zonën e Veriut. Duke futur kokat në tunel ata dilnin andej të fantaksur; të shkretët deputetë u ngjanin strucëve që fusin kokat në rërë dhe mendojnë se edhe të tjerët nuk i shohin. Ftesa edhe mund të mos vijë sepse ekzistojnë ende probleme elementare për një shtet, si problemet e certifikatave, vërtetimeve, adresave, kartave të identitetit... Qytetaret nuk kanë një qeveri të tyre; "qeveria e shërbesave" apo "qeveria në dietë" janë bërë sinonime të hipokrizisë bashkëkohore. Por "ftesa" mund të mos vijë edhe për njëmijë e një gjëra të tjera që unë nuk po i përmend, për të mos acaruar edhe më shumë veten e lexuesin. Dhe janë këto mijëra gjëra që i detyrojnë politikanët tonë tani në kohën që u vjen "veza" të bëjnë sikur mendojnë për kombin e popullin'Populli e do NATO-n dhe Europën edhe për t'u larguar nga Shqipëria, i do ato me shpresën se do ta ketë më lehtë për t'u larguar nga ky ferr ku e ka mbyllur politika shqiptare; këtë e dinë mirë tërë politikanët, e dinë mirë i madh e i vogël, siç e di akoma më mirë, ta zëmë, edhe Maqedonia. Pra, të emigrojmë qoftë edhe për motive militare. Ndërsa politikanët e duan "ftesën" si certifikatë të konvertimit të tyre në politikanë të ideologjisë aktuale të kapitalizmit, e duan ta përdorin për t'i zënë sytë popullit që pas kësaj nuk do të ketë shprese se do të ketë energji elektrike, ujë dhe shërbim shëndetësor të denjë. Por që nuk do të ketë as kurajo të protestojë pa një shpresë qoftë dhe si iluzion a mirazh moral. Atëherë, përse duhet të vijë ftesa?