E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Perspektiva e integrimit europian mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit

02-07-2013 / Gazeta 55

Kroacia u bë zyrtarisht anëtarja e 28 e Bashkimit Europian

Dje Kroacia u bë zyrtarisht anëtarja e 28 e Bashkimit Europian, duke e shtuar bllokun me një anëtar të ri që nga zgjerimi i fundit në vitin 2007. Ky anëtarësim shton mundësitë se Ballkani mund të integrohet shpejt në BE. Eurokomisioneri për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor Stefan Fyle i drejtoi dje rajonit ballkanik një mesazh ku jepet kurajo në punën me reformat sepse integrimi është i mundur. Zoti Fyle theksoi se reformat kërkojnë vullnet politike dhe vetëm kështu progresi është i garantuar.  “Hyrja e Kroacisë përbën një provë të re të fuqisë së transformimit të politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian. E shkatërruar nga konflikti rreth dy dekada më parë, vendi është sot një demokraci e qëndrueshme, e aftë që të ndërmarrë obligimet që mbart anëtarësimi dhe standartet e BE-së.  Ky është një sinjal i fuqishëm për të gjithë ju në rajon se mund tja dilni mbanë kur bëni përpjekjet e nevojshme. Anëtarësimi i Kroacisë rikonfirmon se perspektiva e integrimit europian mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit që tregojnë vullnetin e nevojshëm për të implementuar reformat politike dhe ekonomike, si dhe të të vërtetojnë respektin e tyre për vlerat europiane siç janë sundimi i ligjit, principet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Mundësitë janë aty por progresi në procesin e anëtarësimit në BE varet kryesisht nga progresi real që do të arrihet në këto fusha në zbatimin e tyre konkret në terren.
Nuk ka ndonjë rrugë të shkurtër apo formulë magjikë për të përdorur.Anetarësimi i Kroacisë vërteton se BE respekton angazhimin e tij. Anëtarësimi mund të bëhet realitet me tu plotësuar kriteret. Dhe ndërsa Kroacia hyn në BE, nuk do të thotë se ajo po i largohet rajonit, përkundrazi BE po afrohet edhe më shumë me ju. Madje edhe fizikisht. Thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndajnë kufirin me BE-në dhe do ta gjeni veten të përfshirë nga tregu i përbashkët, çka ofron më shumë mundësi për investime dhe tregti për bizneset lokale. Duke shfrytëzuar këto mundësi, integrimi europian duhet të shndërrohet në një prioritet për të gjitha qeveritë në rajon, në të mirë të qytetarëve. Bashkimi Europian u ndërtua nga hiri që la pas Lufta e Dytë Botërore, dhe pajtimi e bashkëpunimi mes ish rivalëve u bënë baza e dekadave të tëra paqe stabilitet dhe prosperitet. E njëjta perspektivë është tashmë e hapur për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kroacisë në BE e sjell këtë perspektivë një hap më afër dhe ne do të vazhdojmë të jemi të gatshëm t’ju mbështesim që të bëni hapat e radhës për të ndjekur Kroacinë”, theksoi Fyle.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›