
Konfliktet politike mazhorancë- opozitë në Shqipëri, nuk duhet të jenë më shkak për të vonuar procesin e marrjes së statusit kandidat në BE. Brukseli paralajmëron kështu politikën shqiptare nëpërmjet deklaratës së komisionerit për zgjerimin Stefan Fule. Ai tha për AS se qeveria dhe opozita duhet të arrijnë marrëveshje për të plotësuar tre kriteret e mbetura, në funksison të marrjes në dhjetor, të statusit të vendit kandidat në BE.
“Rekomandimi është i qartë dhe autoritetet do të jenë të afta t’i përmbushin kërkesat brenda javëve ose muajve. Kjo është në dorën e tyre. Gjëja më e rëndësishme është se unë kur shoh këto çështje të pazgjidhura, kam parasysh se duhet të vazhdojë ajo që nisi si një bashkëpunim i mirë midis qeverisë dhe opozitës. Unë shpresoj që tani me këtë rekomandim pozitiv të dhënë nga Komisioni të dyja palët, qeveria dhe opozita, jo vetëm që do të reflektojnë për këtë gjë, por do ta marrin atë si një kërkesë për të mbyllur me marrëveshje edhe kushtet e mbetura. Po e përsëris edhe njëherë, tani është koha që ata të vendosin vetë për një gjë të tillë”- tha Fule.
Megjithese Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin që Shqiperise t’i jepet statusi i vendit kandidat, në qëndrimet e zyrtarëve në Bruksel, ekziston shqetesimi se konfliktet politike qe rikthehen vazhdimisht mund ta dëmtojnë dialogun politik për axhendën evropiane. Sipas përfaqësuesve evropiane, Tirana zyrtare duhet të bëjë shumë më tepër për të bindur BE-në se stabiliteti demokratik dhe procesi i integrimit evropian janë tashmë të garantuara dhe nuk cënohen nga konfliktet e vazhdueshme politike.