E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle Shqiperia po permbush prioritetet per statusin e kandidatit

Bashkimi Evropian vazhdon politikën  e saj të dyerve të hapura për anëtarësimin, tha Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fyle për “SETimes”, por ai paralajmëroi se kandidatët duhet të përmbushin të gjitha kriteret e BE-së dhe të plotësojnë të gjitha kushtet në mënyrë që të pranohen.

"Ritmi me të cilin secili vend përparon drejt anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e kritereve dhe kushteve të përcaktuara. Kroacia është një shembull i mirë dhe duhet të shërbejë si një nxitje: ajo tregon se çfarë mund të arrihet kur ndiqen dhe zbatohen reformat e nevojshme", tha Fyle.

Kroacia do të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së në korrik të vitit 2013. Mali i Zi filloi negociatat për anëtarësim në qershor, ndërsa Shqipëria është duke u përpjekur për të përmbushur prioritetet kyçe për një status të kandidatit për anëtarësim.

Komisioni europian ka rekomanduar tri herë hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë, por Maqedonisë ende nuk i është dhënë një datë për të filluar bisedimet.

Marrëdhëniet pozitive me fqinjët, një parakusht për anëtarësim në BE, është një nga çështjet kryesore që Serbia ka nevojë të përmbushë para anëtarësimit në BE, sipas Fyles.

"BE-ja dëshiron që Serbia të ndërmarrë hapa drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën", tha Fyle, duke shtuar se një hap i tillë respekton plotësisht parimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.
"Vendimi i fundit i Beogradit për të ndaluar këmbënguljen që fusnota e Kosovës të paraqitet në emrin e vendit është një hap shumë i mirëpritur, dhe BE-ja do të monitorojë zbatimin e tij në praktikë", tha Fyle.

Vazhdimi i zbatimit i të gjitha marrëveshjeve në mirëbesim në dialogun teknik me Prishtinën është një çështje tjetër, sipas Fyle. "Nënshkrimi i protokollit nga Beogradi për menaxhimin e integruar të kufijve është ende në pritje".

Së fundmi, Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive me EULEX-in, i cili vazhdon të ketë liri të kufizuar lëvizjeje në veri të vendit, për shkak të kundërshtimit nga ana e serbëve lokalë, të cilët pretendojnë se EULEX-i mban anën e institucioneve të Kosovës.

“Një raund i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të fillojë, por formati, koha dhe qëllimi i dialogut janë ende nën diskutim mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›