Nderimi për flamurin
Mësueses: “Ke folur tepër për Kosovën dhe pak për flamurin gjatë luftës n.çl”
Në kohën kur Kosova ziente nga demonstratat kundër shtypjes së egër serbe, m’u ngarkua të bëja një “mësim të hapur”, - siç quhej atëherë, - me pjesëmarrjen e mësuesve nga të gjitha shkollat dhe, sigurisht me një të deleguar nga Komiteti i Partisë të Rajonit. Tema m’u la e lirë që ta zgjidhja vetë. Vendosa: “Flamuri ynë Kombëtar”. Më duhej të përgatisja nxënësit për këtë orë të hapur. Paraprakisht bëra skicën e orës së mësimit. U thashë nxënësve të shfletonin e të gjenin materiale rreth flamurit kombëtar, origjinës së tij, recitimet në përkitje me rastin konkret etj. U kënaqa shumë kur nxënësit kishin prurë legjenda, tregime, pjesë për t’u recituar... E kishin marrë me përkushtim këtë aktivitet, në të cilin ishte i interesuar edhe Komisioni Metodik i qytetit. Njëri prej nxënësve kishte prurë një flamur shumë të bukur të cilin ia kishte dhënë i ati, që punonte në TV. Atë e vendosëm mbi tavolinë. U krijua një atmosferë e pëlqyeshme dhe, ndër të tjera, mbaj mend që u kisha thënë nxënësve se nderimin për flamurin do ta shprehnin në rezultate në mësime dhe, në të ardhmen, me kontributin e tyre në dobi të Atdheut, duke e ngritur sa më lart flamurin kombëtar.
Në atë orë mësimi më kujtohet se Lulit dikush i kishte dhuruar një stilolaps kuq e zi, në të cilin shkruhej “Kosova Republikë”. Dhe ai ma dha mua në atë orë mësimi. E entuziazmuar fola me pasion sesi ruhej ky flamur nga kosovarët martirë, sesi ngrihej në ditë festash, sesi edhe dasmorët e përcillnin nusen apo dhëndrin me flamuj gjatë udhëtimit festiv etj. Mbas mësimit u bë vlerësimi i orës, siç ishte zakon. Të gjithë mësuesit e pranishëm folën me vlerësim për orën. Vetëm përfaqësuesi i Komitetit të Partisë bëri vërejtjen se mund t’i kisha ndarë më mirë etapat e orës së mësimit, pasi kisha folur pak si tepër për flamurin në Kosovë dhe më pak për flamurin në kohën e lutës nacionalçlirimtare apo për periudhën e socializmit. Ndonëse kjo nuk ishte e vërtetë . Pra, mësuesit e tjerë nuk ishin të këtij mendimi, duke mbrojtur orën e mësimit. Natyrisht që ky vlerësim bëhej me delikatesë, që të mos lëndohej i ftuari i rëndësishëm. Këto më kujtoheshin gjatë këtyre ditëve kur shihja flamujt nëpër ballkone e, sidomos, në Sheshin Skënderbej, zbukuruar aq hijshëm nga Bashkia e Tiranës. Sot nxënësit e mi gjenden në shumë fronte pune. Të gjithë japin kontributin e tyre për lartësimin e vendit dhe të flamurit. Dhe unë krenohem me sukseset e tyre. Kështu u përlota kur pashë në ekran nxënësin tim të dikurshëm, Gjergji Bojaxhiun, të ngrinte flamurin tonë kombëtar në majën e çatisë botërore, Everestit. Krenohem kur shoh sesi po punon ish-nxënësi im Lulzim Basha për Tiranën, për ta ngritur sa më lart simbolin kombëtar. Punën e çdonjërit prej tyre e shoh në të gjithë qytetarët. Vetëm ndonjë pasardhës i atij përfaqësuesit të Komitetit të Partisë, e krahason shkabën e vënë nga Bashkia, me breshkën, vetëm nga zilia ... Se Tirana është zbukuruar si kurrë ndonjëherë, në krahasim me vitet kur ishte Edi Rama kryetar i Bashkisë. Nuk më ngrohin ato shprehjet “e matura” dhe “të përmbajtura”, për “më tepër thjeshtësí”, “pa teprime” (jo aq shumë flamuj) , “kundër ekzaltimeve”... që kam dëgjuar në disa komente televizive. S’ka asgjë të tepërt në nderím të flamurit. Aq më tepër për një komb e për një popull të vuajtur për rrethana historike. A mos kërkohet, vallë, një atmosferë e vakët, kur shqiptarët frymëzohen sinqerisht nga dashuria gjer në adhurim për ata flamuj të larë me gjak, për flijimet e padrejtësive të kohërave të ndryshme, për të cilat historia e drejtë dhe e paanshme po i bën vlerësimet më ndershmërisht, në rrjedhë të kohës? Një vlerësim historik është edhe ai i heqjes së simbolikës antishqiptare në flamurin tonë , nga fashot e Liktorit dhe, më vonë, nga ylli i kuq internacionalist. Në këtë përdhosje kishin dorë pushtues mbi dhe nën rrogoz. Por kishin përkushtimin e tyre edhe njerëz guximtarë, me atdhedashuri për flamurin e papërlyer.
Duke shfletuar gazetat e viteve të kaluara, në një të përditshme (“Gazeta “55”, 19 dhjetor 2006) në një shkrim me titull “Edi Rama e quan të tepërt simbolin kombëtar”, artikullshkruesi dokumentonte me fotot përkatëse argumentet e veta. Citojmë: “Zhurmëmadhit kryetar të bashkisë së Tiranës, zotit Edi Rama, si duket nuk i ka humbur vetëm vula, por i ka humbur edhe flamuri kombëtar. Mungesa e flamurit nuk është vetëm një ditë, por vërehet prej shumë ditësh. Për ta paraqitur atë siç është po japim fotot e djeshme, që janë bërë në bashkinë e Tiranës. Në këtë mënyrë zoti Rama që e ka përqendruar të gjithë energjinë në përgatitjen e brezit tradicional të Vitit të Ri, nuk ka gjetur kohë t’i japë vendin e duhur flamurit kombëtar? Në ligjin 8926, datë 22 korrik 2002, në pikën 1 thuhet: “ Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë ta mbajë, ta ngrejë ose ta përdorë flamurin kombëtar. Pika 2: “Të gjitha institucionet publike detyrohen ta vendosin flamurin kombëtar në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme”. Pra, përveç të tjerave, këtë rast mund ta gjykojmë si shkelje të rëndë ligjore nga ana e Edi Ramës.”. Ndërsa unë do të shtoja se ngritja e flamurit nuk është vetëm simbolike, por ka të bëjë me detyrat e individëve ndaj atdheut.
Në këto ditë festash secili prej nesh duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Cili është kontributi im në dobi të Kombit? Dhe sa e turpshme më tingëllon, (dhe që s’dua ta besoj, madjé), një thënie e një mikeshës sime që ka emigruar në Paris, që Edi Rama është shprehur, diku, me fjalët “Shqipëri, të kam dh …ë, s’të kuptova asnjëherë”. Por me qëndrimet që po mban kohët e fundit, sidomos, ndaj aspiratës mbarëkombëtare të hyrjes në komunitetin europian, më bën të besoj që shprehja e mësipërme ka shumë gjasa që të jetë e vërtetë. “S’të kuptova asnjëherë!”. Ai mundet të mos kuptojë shumë gjëra. është “e drejta” e tij. Por nuk mund të mëtojë që edhe të tjerët të mos kuptojnë disa detyrime fare elementare.
Këto janë ndjenjat kombëtare të tij dhe të pasuesve të tij? Turp për ta! Dhe nderim për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë vend. Që nga qytetari më i thjeshtë dhe deri te figurat e ndritura.