Fyle kunder referendumit per tre ligjet

Stefan Füle kundërshton referendumin si mënyrë për t'i ofruar Shqipërisë statusin e kandidatit. Për komisonerin europian për zgjerimin, referendumi nuk është mënyra për të zgjidhur hendekun ekzistues te dialogut midis forcave politike në Shqipëri. "Të zgjedhësh alternativën e referendumit nuk është rruga për ndërtimin e konsensusit midis partive. Nuk mund të jetë ura për të mbuluar hendekun ekzistues në dialogun dhe bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës për axhendën europiane. Nuk është mênyra për te plotësuar kushtet e nevojshme të integrimit", thotë Fyle në nje deklaratë për shtyp. Në këtë linjë, komisioneri Füle ka nënvizuar se është e vështirë të kuptohet përzgjedhja e një instrumenti të tillë që nuk i përgjigjet klimës së gjithëpërfshirjes. Ai thekson, se plotësimi i 3 kushteve për marrjen e statusit te vendit kandidat mund të arrihen vetëm përmes konsensusit midis qeverisë dhe opozitës. "U bëj thirrje forcave politike në Shqipëri që të gjejnë rrugën e duhur për të proçeduar me reformat e integrimit" ështê shprehur Stefan Füle, pasi është njohur me vendimin e mazhorancës për të organizuar referendum lidhur me plotësimin e 3 kushteve që do ti sillnin vendit statusin e kandidatit pêr anëtarësim në BE.