E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle përgënjeshtron Ramën: “Votoni tre ligjet, merrni statusin”

30-01-2013 / Gazeta 55

Në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, komisioneri Stefan Fyle ka deklaruar se do të ishte e turpshme për Shqipërinë, nëse nuk do të miratoheshin 3 ligjet e rekomanduara nga Brukseli. Ai ka rinovuar gatishmërinë, për të paraqitur raportin për marrjen e statusit, brenda prillit, sapo politika në Tiranë të jepte shenjën sado të vogël, se po ecën drejt miratimit të ligjeve
Komisioneri Stefan Fyle së shpejti vizitë në Tiranë, për një takim ultimativ, me politikanët që kanë bllokuar votimin

Jozef Daul: S’mund të presim shumë gjatë, shqiptarët duhet të veprojnë me shpejtësi
 
Stefan Fyle: Ne do të hartojmë raport për Shqipërinë nëse aktorët shqiptarë gjejnë konsensusin për të përmbushur tre kushtet që mbeten. Këto tre kushte përbëjnë kërkesën minimale për t’i rekomanduar shteteve anëtare statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Këto janë tre kushtet që mbeten, ndërkohë që Shqipëria ka plotësuar në mënyrë të habitshme një numër kushtesh të tjera. Sa keq do të jetë nëse këto tre kushte mbeten të pazgjidhura! Sa keq do të jetë nëse nuk do të tregohet edhe hapësira më e vogël për të mbështetur ata të shumtë që duan shumë ta ndihmojnë Shqipërinë që të hedhë hapat e fundit

Joseph Daul: Është vërtet për të ardhur keq që për shkak të tri problemeve, statusi është bllokuar. Dhe kjo do të jetë një kohë e humbur për Shqipërinë. Siç e thashë edhe në diskutimin tim, ne jemi gati t’u ndihmojmë nëse kemi se me çfarë mund t’u ndihmojmë. Ju e dini se Shqipëria është një dosje e vështirë. Por tani duhet që vetë Shqipëria të marrë përgjegjësi. Ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit, nëse ata nuk duan të vijnë në BE. Por më vonë nuk duhet te ketë ankesa se Shqipëria ishte gati, por... Unë shikoj se Serbia, si dhe të gjitha vendet e tjera janë duke bërë përpjekje të mëdha për integrimin. Për shkak të këtyre tri kushteve, unë shpresoj se politikanët shqiptarë do ta kuptojnë mesazhin dhe do t’i realizojnë me shpejtësi

-- Brukseli i bën thirrje klasës politike në Shqipëri të plotësojë tre kushtet e mbetura ndërsa premton reagim të menjëhershëm në rast të gjetjes së konsensusit. Ndërkohë, Komisioneri për zgjerim Sfefan Fyle kërkon të flasë “shqip” me kreun e opozitës Edi Rama, ndërsa ka paralajmëruar se do të vijë së shpejti në Tiranë për të diskutuar edhe me liderët e tjerë politikë për votimin e tre ligjeve të integrimit.
Komisioneri për zgjerimin ka deklaruar në konferencën për Ballkanit të organizuar nga Partia Popullore Europiane në Bruksel, se Komisioni është i gatshëm të raportojë në prill për statusin e kandidatit për Shqipërinë, por do të ishte vërtet keq, nëse nuk do të tregohet edhe hapësira më e vogël për ta ndihmuar vendin që të plotësojë tre kushtet.
“Ne do të hartojmë raport për Shqipërinë nëse aktorët shqiptarë gjejnë konsensusin për të përmbushur tre kushtet që mbeten. Këto tre kushte përbëjnë kërkesën minimale për t’i rekomanduar shteteve anëtare statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Këto janë tre kushtet që mbeten, ndërkohë që Shqipëria ka plotësuar në mënyrë të habitshme një numër kushtesh të tjera. Sa keq do të jetë nëse këto tre kushte mbeten të pazgjidhura! Sa keq do të jetë nëse nuk do të tregohet edhe hapësira më e vogël për të mbështetur ata të shumtë që duan shumë ta ndihmojnë Shqipërinë që të hedhë hapat e fundit”, deklaroi Fyle.
Lidhur me Shqipërinë, Kryetari i Partive Popullore, Joseph Daul vlerësoi reformat e kryera deri tani, por u shpreh keqardhja që marrja e statusit po vonohet për shkak të tri ligjeve të pa miratuara ende.
“Është vërtet për të ardhur keq që për shkak të tri problemeve, statusi është bllokuar. Dhe kjo do të jetë një kohë e humbur për Shqipërinë. Siç e thashë edhe në diskutimin tim, ne jemi gati t’u ndihmojmë nëse kemi se me çfarë mund t’u ndihmojmë. Ju e dini se Shqipëria është një dosje e vështirë. Por tani duhet që vetë Shqipëria të marrë përgjegjësi. Ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit, nëse ata nuk duan të vijnë në BE. Por më vonë nuk duhet te ketë ankesa se Shqipëria ishte gati, por... Unë shikoj se Serbia, si dhe të gjitha vendet e tjera janë duke bërë përpjekje të mëdha për integrimin. Për shkak të këtyre tri kushteve, unë shpresoj se politikanët shqiptarë do ta kuptojnë mesazhin dhe do t’i realizojnë me shpejtësi”, tha Daul.
Duke prezantuar raportet për zgjerimin në mesin e prillit, Komisioni Europian i jep kohë të mjaftueshme vendeve anëtare që të marrin vendime të rëndësishme për zgjerimin në samitin e 27 dhe 28 qershorit, ku mund të përfshihet edhe statusi i vendit kandidat për Shqipërinë nëse plotësohen 3 kushtet.
Ndërkohë në konferencën re 3-të të PPE (Partive Popullore Europiane) mbi Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij në BE, e cila po mbahet në Bruksel, merr pjesë edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa ishin të pranishëm Kryetari i PPE në Parlamentin Europian, Joseph Daul, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE, Elmar Brok, Kryetari i Delegacionit të PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan e përfaqësues të lartë të qeverive të Maqedonisë, Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë.
Nga ana tjetër panorama në vend vazhdon të mbetet e njëjtë, ku kreu i PS Edi Rama vazhdon të refuzojë votimin e ligjeve në Kuvend, nën argumentin se integrimi i Shqipërisë nuk është peng i tre ligjeve. Ndërsa kryeministri Berisha për të nxjerrë procesin e integrimit të Shqipërinë në BE  nga ky ngërç artificial  ka shpallur një nismë për mbajtjen e një referendumi lidhur me kalimin ose jo të tyre, hap ky që po vazhdon ta monitorojë mbështetjen në FB, rrjet në të cilin e lançoi këtë nismë.
Në këtë konferencë e mori fjalën edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila paraqiti reformat dhe zhvillimet më të reja politike në vend, duke vënë në dukje, angazhimin e mazhorancës në  realizimin e  kushteve të vendosura nga Brukseli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›