Heqja e tatimit mbi të ardhurat, përfitojnë 200 mijë punonjës të sektorit privat dhe 15 mijë nga sektori publik
Berisha në mbledhjen e Qeverisë: Rritja më e madhe e pagave për këtë kategori. Kryeministri akuzon liderin e opozitës: Politika fiskale e Ramës shton të varfrit
Në dy vitet e fundit janë ndërmarrë ndër reformat më të rëndësishme fiskale, përfshirë këtu heqja e TVSH-së për makineritë. Ky ishte konstatimi i ardhur sot nga kreu i qeverisë, Sali Berisha i cili në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u ndal pikërisht në sistemin fiskal, të aplikuar në vendin tonë.
Në këtë aspekt Kryeministri i mëshoi me forcë faktit se taksa e sheshtë është forma e duhur për konsolidimin e ekonomisë.
Sipas tij, sulmi që opozita i bën kësaj takse lidhet vetëm me spekulime.
“Politikat që kanë synuar të ndihmojnë shtresën e varfër duke rrënuar të pasurit kanë dështuar, kanë falimentuar”, vlerësoi Berisha.
Ndërkohë, kryeministri u ndal sërish tek heqja e tatimit për të ardhurat personale, duke garantuar më ruajtjen e fleksibilitetit të krahut të punës, si dhe mbrojtjen dhe mbështetjen e biznesit, si mekanizëm që mban larg vendin nga përfshirja në krizë.
“Gjatë këtyre 7 viteve në përputhje me programin tonë ne kemi rritur në mënyrën më të fuqishme rrogat dhe pensionet në sektorin publik, rritje që ka bërë që rroga mesatare të shkojë në 57 mijë lekë. Ky është rezultat i politikës sonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Një gjë është e sigurt që me rritjen e rrogave të sektorit publik ne kemi ndikuar fuqishëm, kemi udhëhequr këtë politikë në të gjithë vendin çka do të thotë se politika e ndjekur në sektorin publik është ndjekur në mënyrë të pashmangshme edhe nga sektori privat”, vuri në dukje Berisha.
Sipas shefit të mazhorancës, në fokus të reformave dhe të modelit ekonomik është pikërisht tërheqja investitorëve.
Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit të sotëm, kryeministri Berisha njoftoi në Facebook shifrat e përfituesve të vendimit të qeverisë për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale prej 10%. Janë 200 mijë punonjës të sektorit privat dhe 15 mijë nga sektori publik, që përfitojnë nga heqja e tatimit mbi të ardhurat personale. “Ministria e Financave me njoftoi sot se, me vendimin e ardhshëm të heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale prej 10%, dhe për rrjedhojë të rritjes se rrogës me 10% ose më shumë se një rrogë shtesë në vit, përfitojnë 200 mijë punonjës vetëm nga sektori privat (dhe jo 120 mijë, nga sektori privat dhe publik, siç jam shprehur në statusin e pardjeshëm) si dhe së paku 15 mijë nga i gjithë sektori publik. Mendova të ndaj me ju këto të dhëna që janë më të sakta dhe e bëjnë lajmin edhe më të mirë. Ne mbajmë premtimet tona!”