Fytyra newborniste e Jahjagës
Para zgjedhjes së Behxhet Pacollit si President i Kosovës përgatita një shkrim për të dhënë mendimin tim modest se Pacolli nuk mund të ishte fytyra e Kosovës së re. Për shumë arsye, biznesmeni i njohur më dukej se stononte me historinë e re të New Born. Ai i përket një politike të vjetër, që vazhdon e jeton në Evropën plakë, por që s’mund të jetë e ardhmja. Si për shembull, ngjan me karrierën e biznesmeno-politikanit Berluskoni. Shkrimin nuk e botova në rubrikën time, pasi mendova që, edhe pse një popull e një gjak, kemi histori të ndryshme e një rrugëtim të ndryshëm ne shqiptarët e të dy anëve. Shkurt. S’më dukej e drejtë të “jepja mend”. Zgjedhja e Pacollit shkoi siç të gjithë e dimë dhe politika e Kosovës me ndikimin shumë domethënës amerikan, prodhoi një tjetër variant, atë të zëvendësdrejtores së policisë me emrin e çuditshëm për disa, por shumë kosovar e domethënës për në që jemi këtej: Aftifete Jahjaga. Kosova më surprizoi shumë, siç më ka ndodhur, të them të vërtetën, shumë herë me bashkëatdhetarët tanë. Kështu nga larg, siç i kam vëzhguar, por dhe ato pak herë që kam qenë në Kosovë, më ka lënë mbresa shumë të mira forma e atij populli: vajza e djem të pastër e të veshur me shije, pa folur për atë që i ka dhënë Zoti: të bukur e shtatlartë. Por edhe në përmbajtje: mendoj se një intelektual të përmasave e veçanërisht të lirisë personale si Rexhep Qose, anët tona akoma nuk e kanë. Kosova, pas krizës presidenciale që prodhoi zgjedhja e Pacollit, propozoi një vajzë, një grua. Ia besoi këtë detyre fisnike asaj. Aftifete Jahjaga, pa u futur shumë në biografinë e saj, është tamam, një newborniste tipike: e shkolluar, proamerikane, me kontribut në ndërtimin e Shtetit të ri kosovar. Nuk mund të them asgjë më tepër veç gëzimit instiktiv që me vjen nga ky lajm dhe urimit që shqiptarët e kosovës, edhe këtë herë, të kenë bërë një gjë më mirë se ne shqiptarët shqiptarë.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)