E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritere të veçanta pranimi për disa degë

07/04/2011  Pranimet në universitete, kuotat dhe tarifat e shkollimit për të gjitha programet e Universitetit Politeknik

Krahas notave kaluese në 4 provimet e maturës, konkurs tek arkitektura dhe mesatarja kusht në disa degë

Ndonëse do të duhet të marrin nota kaluese në të katër provimet e maturës 2011, duke përfshirë lëndët e detyruara dhe ato me zgjedhje, për një sërë degësh maturantët apo kandidatët e tjerë që do të garojnë për shkollat e larta publike do të testohen edhe individualisht. Kështu, kandidatët që do të duan të ndjekin studimet e larta gjatë vitit të ardhshëm akademik në degën e arkitekturës për të dyja profilet do t’i nënshtrohen edhe konkursit special, që do të zhvillohet pas mbylljes së provimeve të maturës. Po ashtu konkursi do të zhvillohet edhe për pranimet në Akademinë e Arteve apo dhe programet e natyrës sportive. Tashmë Universiteti Politeknik ka bërë publike propozimet mbi kuotat e pranimeve për të gjitha degët si dhe kriteret e veçanta mbi të cilat do të pranohen kandidatët. Sipas shkresës zyrtare të dërguar në Ministrinë e Arsimit mbi propozimet për kuotat e pranimeve për vitin akademik 2011-2012, universiteti ka kërkuar rreth 1520 të drejta studimi të ndara sipas degëve përkatëse. Numrin më të lartë të kuotave edhe për këtë vit do ta kenë programet e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe asaj Mekanike, ku për secilën prej tyre janë propozuar 150 të drejta studimi me kohë të plotë. Ndërsa për degët e tjera është propozuar një numër më i vogël kuotash: nga 40-80 studentë sipas programeve. Po ashtu janë bërë propozimet edhe në lidhje me tarifat që kandidatët fitues duhet të mbulojnë për vijimin e studimeve të larta në fakultetet përbërëse të këtij universiteti. Konkretisht, sipas propozimeve të bëra, tarifat e studimit edhe për pranimet e ardhshme do të jenë më të larta në degën e arkitekturës, përkatësisht me 30 mijë lekë, si dhe në degën e inxhinierisë matematike, asaj fizike dhe ndërtimit kostoja e të cilave është propozuar në masën 25 mijë lekë. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë dhe të detajuar të gjitha kuotat e propozuara si dhe tarifat për më shumë se 20 programet studimore që ofrohen në secilin prej fakulteteve përkatëse. Nga ana tjetër, drejtuesit e këtij universiteti bëjnë me dije se përveç konkursit, për një sërë degësh do të vendosen dhe kritere të tjera të veçanta pranimi, siç është mesatarja. Kjo në mënyrë që për degët përkatëse të pranohen studentë më cilësore, ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara. Kështu, të gjithë kandidatët që do të duan të vijojnë studimet e larta në një nga degët e Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike përveç notave kaluese në të katër provimet e maturës, do të duhet të kenë mesataren e shkollës së mesme më të lartë se gjashtë. Në të kundërt nuk do të lejohen të vijojnë studimet e larta në këto degë.

Mesatarja

Sipas drejtuesve të Universitetit, për të shmangur problemet e hasura gjatë viteve të shkuara për disa degë përzgjedhja e fituesve do të kushtëzohet edhe nga nota mesatare e shkollës së mesme. Kjo do të thotë se maturantët që mesataren e lëndëve të formimit bazë e kanë më pak se 6, nuk do të kenë të drejtë të ndjekin studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Fizike.

Konkursi

Për degën e arkitekturës rregullorja e pranimeve ka të përcaktuar se maturantët apo kandidatët e tjerë që do të konkurrojnë për këtë program studimi krahas rezultateve të larta që duhet të marrin në të katër provimet e maturës, do të testohen edhe nëpërmjet konkursit special që do të bëhet për këtë degë. Sikundër ka ndodhur dhe vitin e shkuar, konkursi do të zhvillohet me tri faza testimi.

Nr. Programi i studimit i ciklit të parë në: Kuotat Tarifa e shkollimit Kriteret e veçanta të pranimit

A. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit

1. Inxhinieri ndërtimi 150 25.000 Nuk ka

2. Inxhinieri mjedisi 50 15.000 Nuk ka

3. Inxhinieri hidroteknik 80 15.000 Nuk ka

4. Inxhinieri gjeodet 60 15.000 Nuk ka

5. Arkitekturë 100 30.000 Konkurs

5.a - Profili arkitekt 75 30.000 Konkurs

5.b - Profili urbanist 25 30.000 Konkurs

B Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit

6. Inxhinieri elektronike 40 20.000 Nuk ka

7. Inxhinieri e telekomunikacioneve 40 20.000 Nuk ka

8. Inxhinieri informatike 40 20.000 Nuk ka

C Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

9. Inxhinieri mekanike 150 20.000 Nuk ka

10. Inxhinieri e materialeve 50 20.000 Nuk ka

11. Inxhinieri tekstili dhe modë 60 20.000 Nuk ka

12. Inxhinieri ekonomike 80 20.000 Nuk ka

D Fakulteti Gjeologji-Miniera

13 Inxhinieri gjeologjike 80 22.000 Nuk ka

14 Inxhinieri e burimeve natyrore 80 22.000 Nuk ka

15. Inxhinieri gjeoinformatikë 80 22.000 Nuk ka

E Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike

16 Inxhinieri matematike 60 25.000 Nota mesatare jo më e vogël se 6

17 Inxhinieri fizike 60 25.000 Nota mesatare jo më e vogël se 6

F Fakulteti Inxhinierisë Elektrike

18 Inxhinieri elektrike, energjitikë 60 20.000 Nuk ka

19 Inxhinieri elektrike automatizim i industrisë 60 20.000 Nuk ka

20 Inxhinieri mekatronike 60 20.000 Nuk ka

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›