E Diel, 1 Nëntor 2026

G20: Të reduktojmë deficitin buxhetor deri në vitin 2013

400 persona vihen në pranga nga protestat në qendër të Torontos

Liderët e vendeve më të industrializuara të planetit, të cilët janë mbledhur në Toronto të Kanadasë, në takimin e G8 dhe G20 dje, kanë qenë në prag të dhënies së dorës së fundit të një plani në lidhje me një ekonomi globale më të stabilizuar.

Kryefjala e ditës në takim ka qenë “balanca”. Grupi i vendeve më të industrializuara kërkon që deri në vitin 2013 të ketë përgjysmuar deficitin buxhetor përmes masave të ndryshme të reduktimit të shpenzimeve, por pa prekur ritmet e rritjes ekonomike. Liderët duhet të tregojnë se kanë bërë përparime edhe për sa i përket një premtimi të bërë shtatorin e kaluar, për ribalancimin e ekonomisë globale. Kjo do të thotë që shtetet me eksport shumë të fuqishëm si Kina dhe Gjermania duhet që të merren edhe me problemet brenda vendit, kryesisht për sa i përket rritjes ekonomike dhe vende si Shtetet e Bashkuara, të cilat janë në situatë të vështirë për shkak të borxheve duhet që të ndryshojnë mënyrën e huamarrjes dhe të shpenzimit të parave. Sipas burimeve nga takimi, në deklaratën finale nuk do të përmendet çështja e monedhës kineze. Dokumenti përfundimtar ka dalë dje në orët e vona të natës. Sipas një drafti fillestar të tij, pritet vendimi i Pekinit për ta bërë monedhën vendase më fleksibël. Presidenti amerikan, Obama, ai i Kinës dhe liderë të tjerë nga vendet e G20 janë mbledhur për herë të katërt të gjithë së bashku që nga viti 2007, kur nisi edhe kriza e madhe financiare, më e rënda e planetit që nga Depresioni i Madh. G20 është organizata në të cilën bëjnë pjesë vendet më të zhvilluara të botës, si dhe përfaqësues nga vendet në zhvillim, që kanë peshë të madhe jo vetëm në politikën e rajoneve të tyre, por edhe atë botërore. Ky grup, dy vitet e fundit, është bërë një forum predominues për koordinimin e masave për qetësimin e krizës financiare. “Me një rikuperim të ekonomisë globale, që mbetet ende e brishtë, është e rëndësishme që të veprojmë me të njëjtin qëllim, të njëjtin sens urgjence dhe të njëjtin zotim për të dalë nga kriza dhe për t’i dhënë fund situatës së deficiteve buxhetore”, deklaroi Kryeministri kanadez, Stepfen Harper, në fjalën e hapjes së takimit.

Ndërkohë, ndërsa brenda resortit në veri të Torontos zhvillohej takimi, jashtë ka pasur shumë protesta të antiglobalistëve dhe si pasojë u futën në burg rreth 400 persona. Kjo pasi demonstratat u shndërruan nga paqësore, që ishin fillimisht, në të dhunshme. Për sa i përket mënyrës me të cilën Europa po operon për daljen nga kriza e deficitit buxhetor, Uashingtoni është i shqetësuar se një mënyrë e tillë e reduktimit të shpenzimeve do të krijojë probleme për sa i përket rritjes ekonomike dhe në vend që të dilet nga një krizë do të hyhet në një të re edhe më të thellë. Këtë shqetësim e ndau edhe Kryeministri i Indisë. Liderët e G20 pritet që të dalin me një propozim konkret për të përgjysmuar deficitin buxhetor deri në vitin 2013. Ata e kanë shumë të qartë se një arritje e tillë do të realizohet në kohë, në varësi të vendeve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›