Eminem
I pabesueshëm dhe i paparashikueshëm. Eminem flet për veten edhe atëherë kur nuk duhet, ose më saktë kur është i sjellshëm, kërkon falje, nuk pi më drogë dhe helme që t’i shkatërrojnë jetën e karrierën. Shumë fansave u kanë dyshime pasi kanë dëgjuar albumin e ri, “Recovery”, i cili që nga titulli tregon se ka moral: Mos vallë pasi njeriu kalon një fazë të vështirë në jetën e tij, fillon të bëhet paksa i mërzitshëm? Natyrisht që në të kaluarën kjo gjë u ka ndodhur edhe shumë rokerave të mëdhenj, si Lou Reed apo David Crosby, në kuptimin që rehabilitimi kërkon shumë kohë për t’ia arritur qëllimit dhe në fillim rezultatet nuk janë pozitive. Por rasti i Eminem-it bën përjashtim. Reperit nuk i mungon kurajoja dhe videoja e këngës së re, “Not afraid”, e tregon të shfrenuar dhe kokëkrisur si gjithmonë, në majën e një grataçiele, gati për të sfiduar lartësinë.
Gjithsesi, Eminem u kthye, pavarësisht njoftimit për një tërheqje përfundimtare nga bota e muzikës, që shkaktoi shumë debate. Kontradiktor është sepse kështu ia do puna, por këtë herë ka ngjallur shumë dyshime, sepse ka kërkuar falje, për faktin se dëshiron të jetë i saktë, i mirë dhe i larë nga të gjitha mëkatet. Por a ishte vërtet e nevojshme kjo lloj deklarate? Reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet, mes tyre ka pasur edhe ironi e dashakeqësi: “është pastruar, por jo aq sa duhet”, ka shkruar në faqen e saj të parë një e përditshme amerikane; po ashtu ka bërë edhe e famshmja “New York Times”, me komentin: “Eminem konfirmon vlerat e tij thelbësore”. Ajo çka duan të thonë me fjalë të tjera, është kjo: që reperi mund të jetë bërë djalë i mirë, por nuk është aq interesant sa më parë. Në fakt ky album i ri, ku janë përmbledhur shumë këngë, është shumë i gjatë, pak novator, nuk paraqet shpirtin e tij rebel, brenda ka shumë fragmente nga jeta personale, ashtu siç ka bërë edhe më parë. Në këngën “Talkin to myself”, reperi u kërkon falje fansave, duke bërë të ditur në njëfarë mënyre se dy albumet e mëparshme nuk janë kushedi se çfarë. “Dy albumet e fundit nuk kanë shumë rëndësi. Gjatë kohës kur po përgatisja albumin ‘Encore’, ende drogohesha, ndërsa te ‘Relapse’ kisha shkalluar fare. Kam diçka për t’u treguar fansave, sepse e ndiej se i kam braktisur, prandaj pranojini faljet e mia, sepse më në fund arrita t’i rikthehem normalitetit”.
Kënga tjetër fillon me një falje botërore: “Dua t’ju falënderoj të gjithëve që keni qenë kaq të durueshëm”.
Eminem-i pas rehabilitimit (thotë se është pastruar i tëri nga drogat që merrte para një viti, të cilat gati sa nuk e çuan në botën tjetër) duket se ka një dëshirë të jashtëzakonshme për t’u prezantuar si një njeri tjetër, i rilindur, më i mirë se kurrë. Nga fjalët e tij kupton se ishin drogat që shkaktonin mërinë dhe dhunën, megjithatë në CD-në e fundit Eminem i kërkon falje edhe Lil Wayne (“Isha xheloz për vëmendjen që i kushtonte publiku”), e Kanye West, të cilin e ka sulmuar ashpër në të kaluarën. Përveç faljes, reperi e ka ftuar Lil Wayne të këndojnë së bashku këngën “No love”. Në listën e të ftuarve janë edhe Kobe, Pink, Rihanna, të cilët vetëm para pak muajsh (para kthimit) i kishte trajtuar në një mënyrë tepër të shëmtuar. Pas këtij ndryshimi rrënjësor, Eminem thotë se në bazë të gjithçkaje qëndronte frika se mos kalohej nga protagonistët e tjerë (gjë e cila ndodhi më pas), duke qenë se në fillim të këtij mijëvjeçari suksesi i tij arriti kulmin në muzikën rep dhe ai u bë një yll galaktik.
Të gjitha këto gjëra që thotë janë pjesë e albumit të ri, i cili përputhet si me kulturën rep, ashtu edhe dhuntinë e tij personale për të përzier artin dhe jetën pa barriera. Megjithatë, sipas shtypit të gjithë botës, Eminem e ka ekzagjeruar paksa: “Shumë beteja rep përfshijë repera të tjerë”, ka shkruar “Telegraph”, “Eminem duket sikur po lufton me veten”. “Një djalë që ka humbur në labirintet e mendjes së tij”, shkruan “Rolling Stone”, edhe pse vazhdon ta pëlqejë fabulën në strofat e tij. Edhe pse ka kërkuar falje publike, reperi nuk ka arritur ta bindë “The Guardian”, e cila shkruan: “Të krijosh rimë në këngët ‘Not afraid’, ‘Through a storm’ dhe ‘Whatever weather/cold or warm’ është e pafalshme për një mjeshtër, i cili shquhet në këtë fushë”. Përveç ndryshimit, në diskun e ri dominon edhe fakti i rehabilitimit.
Para një viti, Eminem ishte sërish në qendër të vëmendjes, sepse i quajti “qelbësira” disa artistë homoseksualë dhe më keq se kaq nuk kishte se si të shprehej. Por edhe mbi këtë gabim ka menduar të bëjë një hap prapa, sigurisht në mënyrën e tij. “Kur dy persona duhen, cili është problemi? Secili prej nesh ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij si të dëshirojë. E di, sot mendoj ndryshe, i shikoj gjërat më me pjekuri se më parë”, është shprehur Eminem për “New York Times”.
#