E Enjte, 5 Nëntor 2026

G7 – Von der Leyen mbështet planin e paqes të SHBA-së për Gazën

BRUKSEL, 13 qershor /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ofroi sot mbështetjen e komisionit për planin e paqes në Rripin e Gazës të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden.

“Plani trefazor i presidentit Biden meriton mbështetjen tonë të plotë. Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve, një fund të qëndrueshëm të kësaj krize”, tha Von der Leyen duke folur në samitin e G7 në Bari, Itali.

“Ne jemi gati të luajmë rolin tonë me veprime të shpejta dhe efektive për rimëkëmbjen dhe rindërtimin që çon në një zgjidhje me dy shtete,” shtoi ajo.

Plani i paraqitur nga Biden në fund të majit, në fazën e parë parashikon një armëpushim të plotë që zgjat gjashtë javë, gjatë së cilës një grup pengjesh do të lirohen në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Faza e dytë parashikon përfundimin e përhershëm të armiqësive dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Rindërtimi i Rripit të Gazës do të fillojë në fazën e tretë.

Lufta në Gazë u nis nga sulmi i paprecedentë i Hamasit islamik palestinez më 7 tetor ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë.

Rreth 120 persona janë ende në duart e Hamasit, por ekziston frika se shumë prej tyre mund të kenë vdekur.

“Izraeli iu përgjigj sulmit me një ofensivë masive ushtarake në Gazë, në të cilën të paktën 37 232 njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur”, sipas autoriteteve të Hamasit.

Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 85% e popullsisë në Gazë, 1,9 milionë njerëz, është zhvendosur me forcë pas sulmeve izraelite.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›