E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: Kryetari i KQZ-së shkel ligjin

Autori i Lajmit: S.T
Partia G99 i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarit Arben Ristani, zëvendëskryetares Dëshira Subashi, dhe pesë anëtarëve të tjerë, një shkresë ankimore duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të aktit të KQZ-së që rrëzoi kërkesën e G99 për të marrë një kopje të fletëve të votimit në Qarkun e Beratit dhe atë të Tiranës, të kërkuar në kuadrin e së drejtës për informim për dokumente zyrtare. Etjen Xhafaj nga G99 ka pohuar se refuzimi i kërkesës së G99 u bë përmes një shkrese të dërguar prej kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. G99 informon anëtarët e KQZ-së dhe opinionin publik se kthimi i përgjigjes prej Ristanit është kryer në shkelje të ligjit, pasi akti administrativ është nxjerrë në kapërcim të kompetencave që ligji i njeh kryetarit të KQZ-së, ashtu si dhe në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji, dhe konkretisht nga neni 20 i Kodit Zgjedhor. Xhafaj detajoi se sipas nenit 3 paragrafi i dytë i ligjit nr. 8503, përgjigja për kërkesën e Partisë G99 duhet të ishte kryer prej autoritetit publik që disponon informacionin zyrtar të kërkuar, në këtë rast prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili duhej te ishte shprehur brenda 15 ditësh për kërkesën e G99, dhe jo vetëm prej kryetarit Ristani. Gjithashtu, - thekson Xhafaj, - akti i administrativ objekt i kësaj kërkese është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga neni 20 i Kodit Zgjedhor. Sipas nenit 20, pika 3 e Kodit Zgjedhor specifikon se të gjitha aktet e firmosura nga kryetari i KQZ-së në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Përgjigja që ka marrë G99 është firmosur vetëm prej kryetarit të KQZ-së, pa firmën e zëvendëskryetares, duke e bërë dokumentin absolutisht të pavlefshëm. Partia G99 ka rikërkuar një kopje të procesverbaleve të votimit, tabelave dhe procesverbaleve të numrit të fletëve të votimit, dhe të gjitha fletët e votimit për të gjitha kutitë e votimit në ZAZ-të nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Qarkun e Beratit, dhe ZAZ-të nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në Qarkun e Tiranës, si dhe mundësinë që në seancën vlerësuese të KQZ ti lejohej pjesëmarrja si palë e interesuar në proces. Letra i është dërguar për dijeni dhe Avokatit të Popullit.

Ky lajm është publikuar: 01/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›