G99: Qeveria i ka vënë zjarrin pushtetit gjyqësor
TIRANE- G99 e konsideron të patolerueshëm sulmin e maxhorancës ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Antarët e këtij grupimi i bëjnë thirrje kryeministrit Berisha të ndalë sulmet dhe presionet mbi antarët e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese ,për të lejuar drejtësine të bëjë punën e saj.
“Tymi që kjo mazhorancë po krijon duke i vënë zjarrin pushtetit gjyqësor nuk mund të mbulojë zullumet e pamata korruptive e kriminale që shqiptarët i shohin qartë”- ka thënë Zëdhënsja e këtij grupimi, Olta Xhaçka.
Sipas një deklarate për shtyp nga ana e zëdhënses së kësaj organizate, është konsideruar si skandaloz dhe i papranueshëm për një demokraci paralajmërimi që Kryeministri i bëri anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas G99 ishte një urdhër për të mos u merrë me shqyrtimin e Ligjit për Dosjet.
“Mazhoranca nuk mund t'i referohet parimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës mbi integritetin dhe paanësinë e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, pasi vetë Këshilli i Evropës është shprehur se ligji i dosjeve të lustracionit nuk respekton standartet e demokracisë, të drejtave të njeriut, dhe sundimit të ligjit”- ka thënë Xhaçka për gazetarët.
Lëvizja G99 i ka kërkuar mazhorancës në pushtet dhe vecanërisht Kryeministrit Berisha, të heqë dorë nga sulmi mbi pushtetin gjyqësor, të ndalojë presionet mbi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, dhe t'i lejojë drejtësisë që të kryejë punën e saj në lidhje me konsiderimin e Ligjit të Dosjeve.
(e.n/ Balkanweb)