GAZA – Hamas: Netanyahu i shtoi kushte të reja propozimit të armëpushimit

GAZA, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Hamasi thotë se ka refuzuar propozimin e fundit të Izraelit për një armëpushim në luftën e Gazës, duke thënë se ”kërkesat e fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu devijojnë nga qëndrimet e mëparshme të tij dhe të ndërmjetësuesve”.
David Barnea, kreu i shërbimit sekret izraelit, Mossad, dërgoi të dielën një propozim të rishikuar izraelit për negociata indirekte përfaqësuesve të shteteve ndërmjetësuese të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit në emër të Netanyahut.
Hamasi shkroi në Telegram se ”ishte informuar për përmbajtjen e tij nga ndërmjetësit”.
“Netanyahu i është rikthyer edhe një herë strategjisë së zvarritjes, vonesës dhe shmangies së një marrëveshjeje”, shkroi Hamas.
Bisedimet kanë ngecur për muaj të tërë, por janë fokusuar në një plan shumëfazor të propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden në maj për të arritur përfundimisht një armëpushim të përhershëm në luftën e Gazës.
Ai përfshin shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi për të burgosurit palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Netanyahu kohët e fundit formuloi kushte shtesë, të përfshira në propozimin e paraqitur nga Barnea, që synon të sigurojë që Izraeli të mbajë kontrolle mbi disa zona strategjike të Rripit të Gazës edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit./ /os/