GAZË – Dhjetëra të vdekur në sulmet izraelite, pavarësisht shpresave për armëpushim

TEL AVIV, 15 janar /ATSH-DPA/- Sipas një raporti palestinez, të paktën 36 persona janë vrarë ndërsa ushtria izraelite vazhdon të sulmojë Rripin e Gazës, pavarësisht shpresave për një marrëveshje armëpushimi në Katar.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi dhjetëra vdekje dhe plagosje në operacionet e reja izraelite në disa pjesë të brezit bregdetar.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se brenda 24 orëve kishte goditur më shumë se 50 objektiva terroristë në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë celulat terroriste, objektet e ruajtjes së armëve, infrastrukturën nëntokësore, pozicionet e zjarrit anti-tank dhe strukturat ushtarake të Hamasit.
Gjatë natës, forcat ajrore sulmuan një qendër komandimi dhe kontrolli – të vendosur në një ish-ndërtesë shkolle në Daraj Tuffah, ku ishte i pranishëm një terrorist – i cili shërbente në një pozicion qendror.
“Që nga fillimi i luftës në Gazë, pas masakrës së Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, më shumë se 46 600persona janë vrarë në brezin bregdetar”, sipas burimeve palestineze.
“Më shumë se 110 000 persona janë plagosur”, thanë burimet.
Ushtria izraelite tha se po bënte gjithçka që ishte e mundur për të shmangur viktimat civile.
Ndërmjetësit nga Katari dhe Izraeli thanë dje se një marrëveshje ishte “afër” për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë. //a.i/