E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

ODIHR: 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër për zgjedhjet e 11 majit, vëmendje financimit të fushatës

TIRANË, 15 janar/ATSH/ 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër do të vijnë në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Mediet publikuan sot konkluzionet e raportit të misionit të ODIHR-it, gjatë vizitës paraprake në Shqipëri në datat 3 dhe 6 dhjetor, pas takimeve me krerë institucionesh, përfaqësues të partive politike e medias.

Në raport thuhet se është me rëndësi kritike monitorimi i situatës para zgjedhjeve, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore.

ODIHR identifikoi disa aspekte që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë punën e administratës zgjedhore, futjen dhe zbatimin e teknologjive të reja në zgjedhje, fushatën dhe mbulimin e saj nga mediat dhe platformat online, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve.

Në raport nënvizohet se “ndërsa rekomandimet e ODIHR-it lidhur me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur dhe mundësinë që liderët e partive politike të garojnë në disa zona zgjedhore u adresuan, shumë nga rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it mbeten të pazbatuara”.

“Këto përfshijnë rekomandime që lidhen me përbërjen e komisioneve zgjedhore të nivelit të ulët, të drejtat zgjedhore të personave me aftësi të kufizuara intelektuale ose psikosociale, përgjegjësinë penale për shpifje, mbulimin e pavarur mediatik gjatë fushatave zgjedhore dhe zgjerimin e rregulloreve për financimin e fushatës tek palët e treta”, thuhet në raport.

Lidhur me monitorimin e zgjedhjeve, në raport thuhet se “të gjithë bashkëbiseduesit e ODIHR theksuan domosdoshmërinë e një misioni të gjerë vëzhgimi zgjedhor nga ODIHR, duke nënvizuar rëndësinë e vendosjes së tij përpara ditës së zgjedhjeve dhe në të gjitha qarqet për të siguruar një mbikëqyrje të pavarur dhe të paanshme të gjithë procesit zgjedhor”.

“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore vlerësuan rekomandimet zgjedhore të ODIHR-it si një kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e kuadrit dhe praktikave zgjedhore. Shumë bashkëbisedues theksuan rëndësinë kritike të vëzhgimit të periudhës para zgjedhjeve, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin e mundshëm në krijimin e një fushe të barabartë gare. Ata identifikuan disa aspekte që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë punën e administratës zgjedhore, futjen dhe zbatimin e teknologjive të reja në zgjedhje, fushatën dhe mbulimin e saj nga mediat dhe platformat online, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve”, vijon raporti.

Duke u bazuar në këto konsiderata, ODIHR rekomandon vendosjen e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EOM) për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Përveç një ekipi bazë ekspertësh, ODIHR rekomandon që shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 26 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur procesin zgjedhor në gjithë vendin, si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procedurat e ditës së zgjedhjeve, përfshirë votimin, numërimin e votave dhe përmbledhjen e rezultateve. Në përputhje me metodologjinë standarde të ODIHR-it, do të përfshijë edhe një element monitorimi të mediave.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›