GAZË – Hamasi kritikon propozimin e fundit për bisedimet e armëpushimit

GAZË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Lëvizja islamike palestineze Hamas ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po i nënshtrohen kushteve izraelite në negociatat për një armëpushim në konfliktin e Gazës.
“Uashingtoni po toleron kërkesat e reja nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu”, tha sot Hamasi në një deklaratë përmes WhatsApp.
“Propozimi aktual nuk korrespondon me draftin për të cilin është rënë dakord me ndërmjetësit në fillim të korrikut – i bazuar në propozimin e bërë nga presidenti amerikan Joe Biden në maj”, tha Hamasi.
“Ajo që iu prezantua së fundi lëvizjes përbën një ndryshim kundër asaj që palët arritën më 2 korrik”, tha Hamasi pa dhënë detaje se si ndryshonte propozimi i ri.
Sipas raportimeve, mosmarrëveshja përfshin kushte të reja në lidhje me lirimin e të burgosurve palestinezë – që do të lirohen në këmbim të njerëzve të rrëmbyer nga Izraeli.
“Ne në Lëvizjen e Rezistencës Islamike (Hamas) ndoqëm me habi dhe mosmiratim të madh deklaratat e lëshuara nga presidenti amerikan Joe Biden, në të cilat ai pretendonte se lëvizja po tërhiqet nga marrëveshja e armëpushimit në Rripin e Gazës, disa orë pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje lëvizjes që të pranojë propozimin e fundit,” tha Hamasi.
“Deklaratat e Biden dhe Blinken janë pretendime mashtruese dhe nuk pasqyrojnë pozicionin e vërtetë të lëvizjes, e cila është e prirur të arrijë një ndërprerje të agresionit”, tha lëvizja islamike palestineze.
“Hamasi nuk do të negociojë kushte të reja”, tha zëdhënësi i Hamasit, Osama Hamdan.
Ai tha se duhet të diskutohej vetëm për zbatimin e planit të paraqitur nga Biden në maj. //a.i/