E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENEVË – 27 delegacione në bisedimet e paqes në Sudan, mungojnë palët ndërluftuese

GJENEVË, 21 tetor /ATSH-DPA/- Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe Kombet e Bashkuara nisën sot një përpjekje të re për të arritur paqen në Sudan, tre vjet e gjysmë pas shpërthimit të luftimeve në vend.

Përfaqësues të 27 delegacioneve u mblodhën në Gjenevë për një takim koordinues, me qëllim përparimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit.

“Lufta duhet të përfundojë”, deklaroi Pekka Haavisto, i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Sudanin, në hapjen e takimit të gjashtë të këtij lloji.

Haavisto nuk përmendi ndonjë përparim të arritur në takimet e mëparshme.

Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për hapa konkretë, identifikimin e mundësive për veprime të bashkërenduara dhe krijimin e “bazave për bashkëpunim të vazhdueshëm”.

Palët ndërluftuese mungojnë në takim

Në takim morën pjesë përfaqësues të disa vendeve, mes tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Gjermania, Egjipti, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë, asnjëra nga dy palët që po luftojnë në Sudan – qeveria sudaneze dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup i armatosur paramilitar – nuk mori pjesë në takim.

Emiratet e Bashkuara Arabe dyshohet gjerësisht se po i furnizojnë RSF-në me armë.

Ushtria sudaneze dhe RSF-ja luftojnë për kontrollin e vendit dhe të burimeve të tij ekonomike që prej prillit 2023.

Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 14 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit.

Ndërsa shpenzohen shuma të mëdha parash për armë, një pjesë e madhe e popullsisë përballet me urinë dhe me mungesën e kujdesit të duhur mjekësor.

OKB-ja e ka cilësuar situatën si një nga krizat më të rënda humanitare në botë.

Shtohen sulmet vdekjeprurëse me dronë

Përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve ka ndryshuar ndjeshëm rrjedhën e konfliktit gjatë këtij viti.

Sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, më shumë se 1 100 njerëz u vranë nga sulmet me dronë.

Në fillim të kësaj jave, një treg i frekuentuar pranë kufirit me Sudanin e Jugut u sulmua gjithashtu.

Sulme pati edhe në zona të kryeqytetit, Khartum, pranë aeroportit. Sipas raportimeve të medieve, dhjetëra njerëz u vranë nga sulmi ndaj tregut.

Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›