E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENEVË – Bisedimet për paqen në Sudan përfundojnë pa marrëveshje

GJENEVË, 22 tetor /ATSH-DPA/- Përpjekja e re e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Sudan përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, tre vjet e gjysmë pas nisjes së luftimeve në vend.

Përfaqësues nga 27 delegacione u mblodhën dje në Gjenevë për të bashkërenduar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

“Duhet të bashkojmë forcat për popullin e Sudanit”, deklaroi në përfundim të takimit drejtuesi i departamentit për paqen dhe të drejtat e njeriut në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, Tim Enderlin.

Pekka Haavisto, i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Sudanin, tha se për herë të parë përfaqësuesit kishin diskutuar edhe për dëmet që lufta i ka shkaktuar mjedisit.

Megjithatë, në përfundim të takimit nuk u njoftuan nisma apo vendime të reja.

Haavisto tha se synimi ishte gjetja e rrugëve praktike për të ecur përpara, përcaktimi i mundësive për veprime të përbashkëta dhe krijimi i bazave për bashkëpunim afatgjatë.

Palët në luftë munguan në takim

Në takim morën pjesë përfaqësues të disa vendeve, mes tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Gjermania, Egjipti, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë, asnjëra nga dy palët që po luftojnë në Sudan nuk mori pjesë në takim, as qeveria sudaneze dhe as Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup i armatosur paramilitar.

Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohen gjerësisht se po i furnizojnë RSF-në me armë.

Ushtria sudaneze dhe RSF-ja po luftojnë që prej prillit 2023 për kontrollin e vendit dhe të burimeve të tij ekonomike.

Nga konflikti kanë humbur jetën dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa më shumë se 14 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ndërsa shpenzohen shuma të mëdha parash për armë, një pjesë e madhe e popullsisë përballet me mungesë ushqimi dhe vështirësi për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.

OKB-ja e ka cilësuar situatën në Sudan si një nga krizat më të rënda humanitare në botë.

Përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve ka ndryshuar ndjeshëm zhvillimin e luftës gjatë këtij viti.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, më shumë se 1 100 persona u vranë nga sulmet me dronë.

Në fillim të kësaj jave, një sulm goditi një treg të frekuentuar pranë kufirit me Sudanin e Jugut. Sulme u raportuan edhe në zona të kryeqytetit, Khartum, pranë aeroportit.

Sipas raportimeve të mediave, dhjetëra persona u vranë nga sulmi në treg.

Të dyja palët në konflikt kanë akuzuar njëra-tjetrën për kryerjen e sulmeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›