E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJENEVË – Bizhuteri shumëmilionëshe dhe një kopsë zbukurimi e Napoleonit dalin në ankand

GJENEVË, 8 nëntor /ATSH-AFP/ – Bizhuteritë që vlerësohen të kenë vlerë dhjetëra milionë euro dhe një kopsë zbukurimi që i përkiste Napoleon Bonapartit, të sekuestruara në Vaterlo, do të dalin në ankand javën e ardhshme gjatë Javës së Luksit në Gjenevë.

Një shitje që do të zhvillohet në shtëpinë e ankandeve ”Sotheby’s” më 12 nëntor do të paraqesë një kopsë zbukurimi me diamant që i përkiste Napoleon Bonapartit dhe u gjet nga ushtria prusiane në fushat e Vaterlosë.

Kjo kopsë, e vlerësuar midis 130 000 dhe 220 000 eurove, ishte ndër sendet personale që perandori duhej të braktiste gjatë ikjes së tij nga ushtarët britanikë dhe prusianë, pas betejës së famshme.

Kopsa rrethore, me diametër afërsisht 45 milimetra, paraqet një diamant të madh oval prej 13,04 karatësh në qendër të saj, i rrethuar nga gati 100 diamante të prera me forma dhe madhësi të ndryshme, të rregulluar në dy rreshta koncentrikë.

”Kjo vepër unike u krijua për Napoleonin rreth vitit 1810, ndoshta për të zbukuruar kapelën e tij dybrirëshe në raste të veçanta”, shpjegon shtëpia e ankandeve.

Më pas iu dhurua, së bashku me sende të tjera, mbretit Frederick William III të Prusisë si një trofe lufte më 21 qershor 1815, vetëm tre ditë pas Betejës së Vaterlosë.

Një tjetër shitje shumë e pritur do të paraqesë “Mellon Blue”, një diamant blu prej 9,51 karatësh, “me pastërti të jashtëzakonshme”, të vendosur në një unazë, njoftoi ”Christie’s”, duke vlerësuar vlerën e tij midis 20 dhe 30 milionë dollarëve./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›