E Enjte, 5 Nëntor 2026

GJENEVË – OKB: Si Izraeli ashtu edhe Hamasi kanë kryer krime lufte në Gazë

GJENEVË, 12 qershor /ATSH-DPA/- Si Izraeli ashtu edhe grupet e armatosura palestineze në Rripin e Gazës kanë kryer krime lufte që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor të vitit të kaluar, sipas një raporti të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Është e domosdoshme që të gjithë ata që kanë kryer krime të mbajnë përgjegjësi”, tha kryetarja e Komisionit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Navi Pillay.

Pillay i bëri thirrje Izraelit të përfundojë aksionin e tij ushtarak në Rripin e Gazës.

“Krimet e luftës të Izraelit përfshijnë vuajtjen e popullatës si mjet lufte, sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe objekteve civile, dhunë seksuale, torturë dhe trajtim çnjerëzor”, njoftoi sot këshilli i të drejtave të OKB-së.

Pillay bëri thirrje gjithashtu për t’i dhënë fund sulmeve të grupeve të armatosura palestineze ndaj Izraelit dhe lirimin e të gjithë pengjeve.

“Marrja e pengjeve përbën një krim lufte,” tha Pillay.

Gjatë sulmit të kryer nga Hamasi më 7 tetor kundër Izraelit u vranë rreth 1200 njerëz dhe 250 të tjerë u morën peng. Rreth 120 persona janë ende në duart e Hamasit, por ekziston frika se shumë te tjere janë tashmë të vdekur. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›