GJENEVË – Zvicra e gatshme t’i japë Putinit “imunitet” për të marrë pjesë në bisedimet e paqes

GJENEVË, 19 gusht /ATSH-DPA/- Zvicra është e gatshme të presë bisedimet mbi luftën në Ukrainë që përfshijnë pjesëmarrjen e presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht urdhërarrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN), tha sot qeveria zvicerane.
Ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis tha sot se Putinit mund t’i jepet një imunitet i përkohshëm.
Qeveria zvicerane e ka përdorur më parë këtë qasje në konsultim me GJPN-në.
Valentina Matvienko, një aleate e ngushtë e Putinit, u shfaq në një forum të nivelit të lartë në Gjenevë në korrik, pavarësisht se ishte prekur nga sanksionet perëndimore.
Aktualisht, nuk ka plane konkrete për një samit që përfshin Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Megjithatë, vrulli për bisedime të tilla po rritet pas takimit të Zelensky me presidentin e SHBA-së Donald Trump, dje në Uashington.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni kanë sugjeruar Gjenevën si një vend të mundshëm për bisedime.
Putini udhëtoi për herë të fundit në Gjenevë në vitin 2021 për një samit dypalësh me presidentin e atëhershëm të SHBA-së Joe Biden, disa muaj përpara se të niste luftën kundër Ukrainës.
Gjykata Penale Ndërkombëtare akuzon Putinin si përgjegjës për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve dhe të miturve nga territoret ukrainase në Rusi. Ajo lëshoi një urdhërarresti për udhëheqësin rus në mars të vitit 2023.
Moska i referohet transferimeve të detyruara të fëmijëve si “evakuime”.
Putini udhëtoi në Alaskë javën e kaluar për bisedime me Trump, por nuk ishte në rrezik arrestimi pasi SHBA-ja nuk është palë në traktatet që rregullojnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare.//a.i/