E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Aeroporti i Berlinit ndalon fluturimet pas shfaqjes së një droni

BERLIN, 1 nëntor /ATSH-DPA/ –  Aeroporti i Berlinit ndaloi për rreth dy orë të gjitha fluturimet gjatë natës pas raportimeve për një dron në zonë, duke shkaktuar vonesa dhe devijime të shumta.

Një dëshmitar raportoi praninë e dronit , çka çoi në mbylljen e pistës veriore. Edhe policia konfirmoi se e pa dronin, por nuk arriti ta gjente. Në operacion u përfshinë edhe një helikopter policie dhe Zyra Federale e Aviacionit të Gjermanisë.

Fluturime për në Bazel, Oslo dhe Barcelonë nuk mundën të niseshin, ndërsa një avion nga Londra për në Berlin u devijua në Hamburg për shkak të rrezikut nga droni. Edhe fluturimet nga Stokholmi, Antalia dhe Helsinki drejt Berlinit u ridrejtuan. Vonesat pritet të vazhdojnë edhe sot.

Autoritetet i këshilluan udhëtarët të kontrollojnë statusin e fluturimeve. Këtë vit janë regjistruar pesë incidente me dronë në aeroportin e Berlinit, krahasuar me 20 në vitin 2024. Fluturimi me dron brenda një rrezeje 1.5 km nga aeroportet gjermane është i ndaluar dhe konsiderohet ndërhyrje e rrezikshme në aviacionin civil. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›