GJERMANI – Bisedime të nivelit të lartë Scholz-Merz për samitin e sigurisë në Evropë

BERLIN, 5 mars /ATSH-DPA/ – Bisedimet e nivelit të lartë midis liderëve të social-demokratëve të qendrës së majtë të Gjermanisë (SPD) dhe fituesve të zgjedhjeve të fundit në vend, bllokut të qendrës së djathtë CDU/CSU, vazhduan edhe sot në Berlin.
Kancelari gjerman në largim Olaf Scholz i SPD-së u takua për një orë e gjysmë me njeriun që pritet gjerësisht ta zëvendësojë atë si kancelar, kryetarin e CDU-së, Friedrich Merz.
Alexander Dobrindt, një politikan i lartë në partinë simotër konservatore bavareze të CDU-së, Unioni Kristian-social (CSU), gjithashtu iu bashkua bisedimeve, së bashku me bashkëkryetarët e SPD-së Lars Klingbeil dhe Saskia Esken.
Sipas Steffen Hebestreit, zëdhënësit të qeverisë së Scholzit, shkëmbimi kishte për qëllim të koordinonte pikëpamjet përpara samitit urgjent të BE-së të së enjtes në Bruksel mbi situatën e sigurisë në Evropë.
Të martën në mbrëmje, CDU, CSU dhe SPD arritën një marrëveshje të madhe paraprake buxhetore që do të investonte 500 miliardë euro (535 miliardë dollarë) në infrastrukturë dhe gjithashtu do të përjashtonte kryesisht rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga rregullat strikte të buxhetit të balancuar të Gjermanisë./ a.jor.