GJERMANI – Merz: Nuk mund të përpunojmë më shumë se 100 000 kërkesa për azil në vit

BERLIN, 14 prill /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se qeveria e tij e ardhshme synon të zvogëlojë numrin e azilkërkuesve të rinj në më pak se 100 000 në vit, duke përmendur presionin mbi institucionet dhe infrastrukturën e vendit.
“Presioni mbi qytetet, qytezat, shkollat, spitalet dhe infrastrukturën tonë ka arritur një pikë kritike”, shtoi Merz duke theksuar se ”numri vjetor nuk duhet të jetë më në gjashtë shifra”.
Merz përsëriti synimin e tij për të pezulluar bashkimet familjare dhe për të nisur një shtytje të gjerë për dëbime, siç përshkruhet në marrëveshjen e koalicionit midis bllokut të tij konservator CDU/CSU.
Ai gjithashtu u zotua të zbatojë kthimin e emigrantëve në kufijtë e Gjermanisë, duke shtuar se ”koordinimi me vendet fqinje tashmë është duke u zhvilluar”.
Merz tha se priste bashkëpunim duke përmendur si shembull Austrinë.
Gjermania regjistroi gati 230 000 kërkesa për azil për herë të parë në vitin 2024, rreth 100 000 më pak se një vit më parë.
Merz ka thënë më parë se vendi mund të trajtojë në mënyrë të qëndrueshme jo më shumë se 100 000 azilkërkues në vit./ /os/