E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz: Paqe në Ukrainë vetëm me miratimin e Kievit dhe Evropës

BERLIN, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Një marrëveshje paqeje për Ukrainën nuk mund të nënshkruhet pa miratimin e Kievit dhe Evropës, tha sot kancelari gjerman Friedrich Merz .

“Evropa nuk është një gur shahu, por një aktore sovrane që ndjek interesat dhe vlerat e saj”, tha Merz në një fjalim të rëndësishëm para Bundestagut.

“Përpjekjet amerikane për të zgjidhur konfliktin janë të mirëpritura, por vendimet për çështjet evropiane mund të merren vetëm me dakordësinë e Evropës”, shtoi ai.

“Po, duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”, nënvizoi Merz.

“Por, një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa miratimin e Ukrainës dhe pa atë të europianëve nuk mund të jetë bazë për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ai.

Komentet e tij vijnë në një kohë intensive negociatash midis zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë mbi planin e paqes të prezantuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump javën e kaluar.

”Për negociata të sinqerta, presidenti rus Vladimir Putin duhet të kuptojë pafrytshmërinë e agresionit të tij”, argumentoi Merz.

Kancelari theksoi se paqja mund të arrihet vetëm në kuadër të lirisë.

“Nuk duam paqe përmes dorëzimit, por bashkëjetesë paqësore mes popujve të Evropës mbi bazën e vlerave tona demokratike dhe liberale”, përfundoi ai./   /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›