E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz thekson nevojën për një marrëveshje të shpejtë për qeverinë e re

BERLIN, 25 shkurt /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi i opozitës konservatore gjermane, Friedrich Merz, blloku i qendrës së djathtë të të cilit fitoi zgjedhjet e vendit të dielën, tha se vendi ka nevojë për bisedime të shpejta koalicioni për të formuar një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur.

Merz është pothuajse i sigurt se do të zëvendësojë Scholzin si kancelarin e ardhshëm të vendit pasi CDU dhe CSU përfunduan të parët me 28,5% të votave.

Partia e tij pritet gjerësisht të formojë një koalicion me socialdemokratët e qendrës së majtë të kancelarit në largim Olaf Scholz (SPD), i cili ra në vendin e tretë me vetëm 16,4% të votave.

“Çështjet janë të ngutshme, ato nuk mund të tolerojnë asnjë vonesë dhe prandaj besoj se është e rëndësishme që të hyjmë shpejt në bisedime”, tha sot Merz.

Ai vendosi një qëllim për të finalizuar një marrëveshje koalicioni deri për Pashkë, por tha se qartësia dhe marrëveshja duhet të arrihet shpejt në tre çështje kryesore në veçanti: mbi politikën dhe shpenzimet e mbrojtjes, mbi migracionin dhe mbi politikën ekonomike për të nxitur ekonominë e ndenjur të vendit.

“Situata në botë po ndryshon në mënyrë dramatike çdo ditë”, tha Merz.

Më herët gjatë ditës, Merz takoi kancelarin Olaf Scholz për bisedimet paraprake rreth fazës së tranzicionit përpara formimit të qeverisë së ardhshme.

Bisedimet mund të kenë prekur gjithashtu mundësinë e krijimit të shpejtë të një fondi të posaçëm për shpenzimet e mbrojtjes.

Ky fond i posaçëm do të anashkalonte rregullat strikte të buxhetit të balancuar gjerman në një zonë që Merz e ka konsideruar si prioritet kryesor të shpenzimeve./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›