KIEV – FT: Ukraina pranon marrëveshjen me SHBA për mineralet e rralla

KIEV, 25 shkurt /ATSH/ – Zyrtarët ukrainas thanë se Kievi tani është gati të nënshkruajë marrëveshjen për zhvillimin e përbashkët të burimeve të tij minerale, përfshirë naftën dhe gazin, pasi SHBA hoqi kërkesat për të drejtën e 500 miliardë dollarëve të ardhura të mundshme nga shfrytëzimi i burimeve, njoftoi ”Financial Times”.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë ukrainas i tha agjencisë franceze të lajmeve, AFP se vendi i tij kishte rënë dakord me kushtet e një marrëveshjeje mineralesh të rralla me SHBA.
”Ukraina ka rënë dakord me kushtet e një marrëveshjeje mineralesh me Shtetet e Bashkuara, pa asnjë klauzolë të pafavorshme për Kievin, dhe mund ta nënshkruajë atë që të premten në Uashington”, tha sonte zyrtari i lartë ukrainas për AFP-në.
“Zyrtarët e qeverisë po punojnë për detajet… Ne po planifikojmë një vizitë në Uashington të premten për të nënshkruar marrëveshjen”, tha burimi në kushte anonimiteti.
Ai vuri në dukje se amerikanët “kishin hequr të gjitha klauzolat që nuk na përshtateshin, veçanërisht 500 miliardë dollarët” që mineralet duhej të çonin në Shtetet e Bashkuara./ a.jor.