E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Ministrja e Zhvillimit kritikon ofensivën izraelite në Gaza

BERLIN, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan, ka kritikuar ashpër ofensivën e fundit ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

“Qeveria izraelite duhet të ndalë këtë pushtim dhe të lejojë që ndihmat ndërkombëtare të hyjnë në Gaza në mënyrë të qëndrueshme”, tha sot Alabali Radovan në Bundestag.

“Dhe është krejt e qartë se edhe Hamas duhet të heqë dorë nga armët dhe të lirojë të gjithë pengjet pa kushte”, shtoi politikanja socialdemokrate. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm”, theksoi  ajo.

Ofensiva izraelite në qytetin e Gazës ishte qasje e gabuar, tha Alabali Radovan, e cila së fundmi udhëtoi në Izrael dhe Bregun Perëndimor.

Ajo paralajmëroi se asnjë fëmijë në botë nuk duhet të vdesë nga uria.

“Kjo është një tjetër arsye pse situata në Gaza është kaq e tmerrshme, sepse uria aty është e krijuar nga vetë njerëzit. Njerëzit në Gaza po vdesin nga uria, edhe pse shohin ndihmat nga ana tjetër e gardhit. Dhe situata është përkeqësuar që nga dje”, tha ajo.

Buxheti i ministrisë së saj, i cili këtë vit do të ulet me 910 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, u diskutua sot  në Dhomën e Poshtme të Parlamentit gjerman.

“Duke pasur parasysh krizën në rritje, Gjermania po investon shumë më pak në bashkëpunim ndërkombëtar se sa është me të vërtetë e nevojshm,,” shtoi ajo, duke iu referuar edhe tërheqjes së SHBA-së nga kjo ndihmë.

Megjithatë, Alabali Radovan vuri në dukje se politika gjermane e zhvillimit do të mbetet në gjendje të veprojë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›