E Hënë, 2 Nëntor 2026

DOHA – Arabia Saudite dënon operacionin tokësor izraelit në Qytetin e Gazës

DOHA, 17 shtator /ATSH/- Katari dhe Arabia Saudite dënuan sot vendimin izraelit për të zgjeruar sulmin e tij të vazhdueshëm ushtarak në Qytetin e Gazës, duke e konsideruar një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, sipas AP.

Ushtria izraelite zgjeroi ofensivën e saj në qytetin me popullsi të dendur, si pjesë e planit të Tel Avivit për të pushtuar plotësisht zonën.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Katarit e dënoi sulmin duke e quajtur një zgjatim të luftës së gjenocidit kundër popullit vëllazëror palestinez dhe një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

“Përshkallëzimi izraelit kërcënon paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, paralajmëroi ministria – duke bërë thirrje për solidaritet ndërkombëtar vendimtar për ta detyruar Izraelin të përmbushë rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar.

Arabia Saudite dënoi me forcë operacionet vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës dhe krimet e vazhdueshme kundër palestinezëve – mes dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të marrë masa efektive për t’i dhënë fund kësaj qasje kriminale.

“Mbretëria paralajmëron për rrezikun e madh të politikës së vazhdueshme të përgjakshme të Izraelit kundër Rripit të Gazës dhe popullsisë së tij”, tha ministria.

Ajo u bëri thirrje anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – të miratojnë rezoluta të menjëhershme për të ndaluar mekanizmin e Izraelit për vrasje, uri dhe zhvendosje – kundër palestinezëve dhe të zbatojnë me vendosmëri të gjitha rezolutat ndërkombëtare përkatëse mbi autoritetet pushtuese izraelite.

Ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 65,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.

Të martën, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez konfirmoi se Izraeli kishte kryer gjenocid në Gaza.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›