Izraeli anulon financimin e çmimeve “Ophir” pasi drama palestineze kryesoi si “Filmi më i mirë”

TEL AVIV, 17 shtator /ATSH/- “The Sea”, drama kundër luftës, me regji të Shai Carmeli-Pollak, që flet për një djalë palestinez që rrezikon jetën në Bregun Perëndimor, fitoi çmimin Filmi më i mirë – në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve të Akademisë së Filmit në Izrael “Ophir”, dje në mbrëmje, sipas “Hollywood Reporter”.
Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, tha sot se do të tërheqë fondet shtetërore për çmimet kombëtare të filmit në vend, “Çmimet Ophir”, pasi drama palestineze kundër luftës “The Sea” mori çmimin kryesor në ceremoninë e vitit 2025 dje në mbrëmje.
Drama e Shai Carmeli-Pollak tregon jetën e një djali 12-vjeçar palestinez që jeton nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor, i cili rrezikon – duke shmangur pikat e kontrollit ushtarak dhe policinë, për të shkuar në plazh për herë të parë në Tel Aviv.
Në një deklaratë, ministri izraelit i Kulturës, Zohar tha se fitorja e “The Sea” si filmi më i mirë në edicionin e “Çmimeve Ophir” ishte “e turpshme”, duke pasur parasysh portretizimin negativ të ushtarëve izraelitë në film.
“Nuk ka shuplakë më të madhe në fytyrën e qytetarëve izraelitë sesa ceremonia e turpshme e “Çmimeve Ophir”, thuhet në deklaratë.
“Duke filluar nga viti i ardhshëm – “ceremonia patetike” – nuk do të financohet më nga paratë e taksapaguesve”, tha Zohar.
“Nën mbikëqyrjen time, qytetarët izraelitë nuk do të paguajnë nga xhepat e tyre për një ceremoni që “pështyn” në fytyrën e ushtarëve tanë heroikë”, shtoi ai.
Përveç dramës “The Sea”, pretendentët për filmin më të mirë përfshinin “Yes” të Nadav Lapid – një satirë therëse që sulmon bashkëfajësinë morale të shoqërisë izraelite me krizën humanitare që po zhvillohet në Gazë – dhe “Oxygen” të Natali Braun për një nënë që lufton për të tërhequr djalin e saj nga shërbimi ushtarak.
Në përgjigje, Zohar kërcënoi se do të shkurtojë fondet për Çmimet Kombëtare të Filmit, duke thënë se ato promovonin narrativat palestineze mbi interesat kombëtare.
“Yes” fitoi çmimet për kolonën zanore më të mirë dhe montazhin më të mirë. //a.i/