E Diel, 1 Nëntor 2026

Mexhiti: Shqipja në jurisprudencë, marrëveshje mes VLEN-it dhe VMRO-së

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, deklaroi sot se çështja e provimeve profesionale dhe licencimit në gjuhën shqipe është duke u zgjidhur në mënyrë institucionale.

Sipas tij, studentët dhe të rinjtë sot nuk po protestojnë për një të drejtë të privuar aktualisht, por për pasoja të politikave të mëhershme që kanë lënë boshllëqe në këtë fushë.

Mexhiti theksoi në një intervistë për Euronews, se deri tani janë realizuar hapa konkretë për licencimin e mjekëve, stomatologëve dhe edukatorëve në çerdhe dhe institucione parashkollore, duke mundësuar që për herë të parë provimet profesionale të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe në nivel republikan.

“Studentët sot nuk protestojnë për një të drejtë të privuar, kjo është pasojë e politikave gjysmake që kanë mbetur nga e kaluara. Deri tani kemi zgjidhur çështjen e licencave për mjekët, stomatologët dhe edukatorët, dhe për herë të parë provimet profesionale po zhvillohen në gjuhën shqipe”, u shpreh Mexhiti.

Ai shtoi se në një takim me kryeministrin Hristijan Mickoski është arritur dakordim që të rinjtë që kanë ndjekur arsimin në gjuhën shqipe, provimet profesionale dhe licencat t’i marrin në gjuhën e tyre.

Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm institucional në drejtim të barazisë gjuhësore në proceset e licencimit profesional.

Mexhiti nënvizoi më tej se në të ardhmen studentët nuk do të kenë më arsye për protesta, por për të festuar, siç tha ai, “fitoret e përbashkëta” në fushën e të drejtave gjuhësore dhe profesionale. Sipas tij, synimi i institucioneve është që provimet profesionale, ashtu si studimet universitare, të zhvillohen në gjuhën amtare të studentëve, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe.

“Studentët nuk do të kenë më arsye të protestojnë, por të festojnë për fitoret e përbashkëta, sepse edhe provimet profesionale në të ardhmen, ashtu si studimet, do të jepen në gjuhën e tyre amtare,” ka deklaruar Mexhiti.

Ai theksoi se kjo qasje përfaqëson një hap drejt barazisë gjuhësore dhe lehtësimit të procesit të kualifikimit profesional për të rinjtë në vend.

Bashkëkryetari i VLEN-it, duke folur për provimin e jurisprudencës tha se kjo është marrëveshje mes partnerëve në qeveri, VLEN dhe VMRO-DPMNE që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Mexhiti tha se sikur që kanë zgjidhur këto 2 vite çështjet në fjalë, prej sot në mënyrë dinamike do të zgjidhin edhe çështjen e provimit të jurisprudencës.

“20 vitet e kaluara ka qenë në gjuhën maqedone, ndërsa këto dy vite për herë të parë licencat e edukatorëve në çerdhe dhe foshnjore merren në gjuhën shqipe. Poashtu e njëjta është zgjidhur në shëndetësi nga ministri jonë për mjekët dhe stomatologët”, ka thënë Mexhiti.

Sipas tij gjuha shqipe është një fushë shumë e gjerë, përdoret në Kuvend, në qeveri, në ministri, ndërsa çështja e provimeve profesionale dhe licencimit në gjuhën shqipe është duke u zgjidhur në mënyrë institucionale.

Mexhiti tha më tej se ata janë për zgjidhje institucionale të çështjes së studentëve dhe se e mbështesin protestën e tyre.

“Por njëherësh e kemi dënuar tentimin për instrumentalizimin e tyre nga një pjesë e infiltruar brenda këtij grupi të studentëve që janë fëmijë të funksionarëve të BDI-së që nuk e kanë zgjidhur çështjen qe 20 vite. Në protestë dalin ministra shqiptarë të Drejtësisë që nuk e kanë zgjidhur këtë çështje dhe pse kanë pasur mundësinë, por të njëjtit sot pa fytyrë dhe pa turp dalin e protestojnë që në fakt protestojnë kundër vetvetes”, tha Mexhiti.

Ai mes tjerash tha se kanë marrë votën për të gjetur zgjidhje institucionale dhe janë duke e bërë këtë.

“Jemi për të gjetur zgjidhje, jo për të protestuar, nuk është problemi i protestës, i mbështesim protestat, por obligimi jonë është aty ku jemi të krijojmë zgjidhje dhe po krijojmë zgjidhje. Kemi zgjidh çështje edhe pa protesta të studentëve”, ka nënvizuar Mexhiti.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›