E Enjte, 5 Nëntor 2026

GJERMANI – Prishet koalicioni qeverisës pas shkarkimit të ministrit të Financave

BERLIN, 7 nëntor /ATSH-DPA/- Demokratët e Lirë (FDP) pro biznesit të Gjermanisë po tërheqin të gjithë ministrat e tyre nga qeveria, tha dje në mbrëmje lideri parlamentar Christian Durr, duke njoftuar tërheqjen e partisë nga koalicioni qeveritar.

Kjo vjen pasi kancelari Olaf Scholz shkarkoi më herët ministrin e Financave Chrstian Lindner, kreun e FDP-së, pas disa javësh mosmarrëveshjeje për politikën ekonomike.

Scholz gjithashtu paraqiti një votëbesim për të ardhmen e qeverisë së qendrës së majtë më 15 janar, e cila pritet të hapë rrugën për zgjedhjet e parakohshme në mars.

Durr tha se katër ministrat e FDP-së do t’i paraqisnin dorëheqjen e tyre presidentit Frank-Walter Steinmeier si grup, duke i dhënë fund koalicionit tripalësh të socialdemokratëve të Scholz, të Gjelbërve dhe FDP-së.

Durr tha se qeveria e koalicionit nuk ishte në gjendje të merrte një vendim themelor për ekonominë, duke shtuar se propozimet e kancelarit nuk ishin të mjaftueshme për ta rikthyer ekonominë gjermane në rrugën e duhur.

“Tani u takon votuesve të marrin një vendim themelor për vendin”, shtoi ai.

Durr premtoi se ligjvënësit e FDP-së në parlament do të vazhdonin të vepronin në mënyrë konstruktive deri në zgjedhjet e ardhshme dhe të diskutonin çështje individuale me të gjitha grupet parlamentare demokratike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›