GJERMANI – Protesta në të gjithë vendin, pas votimit me AfD-në për emigracionin

BERLIN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në qytetet anembanë Gjermanisë, pasi një mocion i diskutueshëm që kërkon reforma të emigracionit u miratua në parlament një ditë më parë me mbështetjen e Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD).
Kristian-demokratët e qendrës së djathtë (CDU) u mbështetën te AfD-ja për të kaluar mocionin në Bundestag duke shkaktuar protesta vetëm disa javë përpara zgjedhjeve parlamentare të vendit më 23 shkurt.
Ishte hera e parë që një parti është varur nga AfD-ja për të formuar një shumicë për një votim në Dhomën e Ulët.
Policia tha se 6 000 njerëz u mblodhën para selisë kombëtare të CDU-së në Berlin për një tubim të organizuar nga aleanca “Së bashku kundër së djathtës”, nën sloganin “Jo bashkëpunim me AfD”.
Në kanalin Instagram të aleancës, aktivistët e përshkruajnë votimin e së mërkurës në Bundestag si një “tabu të thyer” dhe “absolutisht të papranueshme”.
”CDU u kishte kërkuar punonjësve në selinë kombëtare të partisë që të largoheshin herët nga puna si masë paraprake përpara se të fillonte demonstrata, pasi kishte marrë informacion nga autoritetet e sigurisë se nuk do të ishte e mundur të largohej i sigurt nga ndërtesa më vonë”, tha një zëdhënëse e partisë.
Rreth 5 000 demonstrues u mblodhën gjithashtu në qytetin lindor të Gjermanisë, Lajpcig duke u bërë thirrje politikanëve që të “mbronin të drejtën për azil”.
Ndërkohë, rreth 7 000 njerëz demonstruan përpara selisë së CSU në kryeqytetin bavarez të Mynihut.
Kreu i CSU dhe kryeministri bavarez Markus Soder kishte shprehur më parë “mbështetjen e tij të plotë” për Merz, duke shkruar në një postim në X se “më në fund nevojitet një ndryshim drejtimi. Ata që nuk veprojnë me vendosmëri tani vetëm do të forcojnë forcat radikale”.
Demonstrata të tjera në të gjithë vendin tërhoqën gjithashtu mijëra protestues, duke përfshirë në Kiel në veri, Dyseldorfin në perëndim, Frajburgun në jugperëndim dhe Hanoverin në qendër.
Demonstrata të tjera janë planifikuar për ditët në vijim.
Votimi i diskutueshëm i së mërkurës lidhej me një plan jodetyrues prej pesë pikash që kërkon reforma të vijës së ashpër në politikën e migracionit të vendit.
Migrimi është bërë një çështje e nxehtë në fushatën zgjedhore gjermane pas një sërë sulmesh që iu atribuohen të dyshuarve me prejardhje emigrantësh.
Një tjetër projektligj për të reformuar ligjet e migracionit të Gjermanisë do të prezantohet në Bundestag nga aleanca konservatore CDU/CSU të premten.
AfD ka sinjalizuar se do të mbështesë masën./ a.jor.