Vendosja e transformatorit të ri, OSHEE: Po punojmë për rikthimin sa më parë të energjisë në Lezhë

TIRANË, 31 janar/ATSH/ OSHEE po punon për rikthimin e energjisë elektrike në Lezhë duke vendosur në punë transformatorin e ri.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi sot se si pasojë e vështirësive të krijuara nga terreni, gjatë procesit të zëvendësimit të transformatorit në NST Lezhë, orari i rikthimit të energjisë elektrike u shty deri në orën 10.00 të paradites së sotme 31 janar.
Punimet për demontimin e transformatorit ekzistues dhe vendosjen e pajisjes së re, nisën mbrëmjen e 30 janarit ora 23:00 dhe ishte parashikuar të përfundonin mëngjesin e sotëm rreth orës 05:00.
Brigadat e avarisë së TL janë në terren dhe po punojnë për vendosjen sa më parë në punë të transformatorit të ri në NST Lezhë, duke i dhënë kështu energji të gjithë zonave të prekura nga ky remont në kushte të avarisë.
Zonat pa energji në Lezhë janë: qyteti Lezhë, Kodërmarlekaj, Grykëzezë, Sheher, Malsi, Grykë Manati, Zejmen, Tresh, Manati, Pllanë, Markatomaj, Berzanë, Kodër Mulliri, Ishull Lezhe, Barbullojë, Vain, Rrëzë Mali, Ishull Shengjin, Merqi, Rraboshtë, Piraj, Kallmet, Blinisht, Fishtë, Troshan, Krajn, Gjadër, Balldre, Torovicë, Grash, Mabe, Dajç, Dragushë, Gocaj, Rana e hedhme dhe Kënallë.