GJERMANI – Scholz përjashton një mocion besimi për qeverinë

BERLIN, 9 shtator /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz ka përjashtuar mundësinë e një votëbesimi në parlament përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Në intervistën e tij vjetore verore me transmetuesin publik gjerman ZDF, Scholz tha se qeveria e tij e koalicionit vazhdon të ketë shumicën në Bundestag dhe se ka ende punë për të bërë.
Scholz pranoi se peizazhi politik i thyer i Gjermanisë mund ta bëjë qeverisjen e vendit edhe më të vështirë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë federal.
“Kam frikë se çfarëdo që të ndodhë në vitet e ardhshme, ne do të vazhdojmë të kemi situata në Gjermani në të cilat është shumë e ndërlikuar të formosh qeveri”, tha kancelari.
Scholz mbrojti rekordin e qeverisë së tij në detyrë, pavarësisht se tre partitë pësuan regres historik në votimet e fundit në dy lande lindore.
Një temë kryesore në intervistë ishte mbështetja e qeverisë gjermane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, e cila po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje në Gjermaninë lindore.
“Unë besoj se tani është koha për të diskutuar se si ne mund të sjellim paqen”, tha Scholz, duke argumentuar se konferenca e ardhshme e paqes duhet të përfshijë Rusinë.
Scholz anashkaloi një pyetje nëse ai ende i beson presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pavarësisht zbulimeve se një shtetas ukrainas dyshohet se ka sabotuar tubacionet e Gjermanisë ”Nord Stream” në detin Baltik.
“Unë kam një marrëdhënie të mirë me Volodymyr Zelenskyn”, tha kancelari.
”Në të njëjtën kohë, është absolutisht e qartë për mua se kjo çështje duhet të zgjidhet”, shtoi ai./ a.jor.