E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO cakton datën për seancën paraprake në ngarkim të Ilir Metës

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) caktoi datën 25 shtator ora 11:00 për zhvillimin e seancës paraprake në ngarkim të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Metës dhe Monika kryemadhit si dhe tre personave të tjerë që janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas medieve, kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u caktua nga shorti elektronik që u hodh javën e kaluar.

Gjoka do shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të kaluar dosjen për gjykim, ndërkohë që kjo e fundit ka në dorë edhe dy opsione të tjera, ta kthejë sërish dosjen në SPAK ose të pushojë hetimet.

SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Pirro Xhixhon, Ema Çokun dhe Fatime Kryemadhin.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›