Anija luftarake amerikane në Porto Romano, sot ceremonia e posaçme e mikpritjes

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Anija “USS Mount Whitney” e Flotës Ushtarake Amerikane u ankorua dje në Porto Romano, ndërkohë që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e konsideroi këtë “një fazë të re të modernizimit ushtarak të Shqipërisë”.
Më herët, Kryeministri Edi Rama u takua me Komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë, Admiralin Stuart B. Munsch, në kuadër të hapave që Shqipëria po ndërmerr për rilindjen e industrisë ushtarake.
Ankorimi i Anijes “USS Mount Whitney” e Flotës Ushtarake Amerikane, është një tjetër tregues i faktit se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partnerë strategjikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Për të festuar këtë marrëdhënie, mësohet se pasditen e sotme do të zhvillohet një ceremoni e posaçme, pikërisht në bordin e anijes ushtarake amerikane të ankoruar në ujërat shqiptare.
Në ceremoninë që do të mbahet në Durrës, mësohet se do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Ngjitja e kryetares së Kuvendit dhe zyrtarëve të tjerë në bordin e anijes përkrah trupës së marinës amerikane do të rikonfirmojë edhe njëherë aleancën historike të Shqipërisë dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës, një aleancë e lidhur rreth vlerave të demokracisë, stabilitetit e sigurisë rajonale.
/m.m/j.p/