GJKKO dënon me 155 vite burg grupin e trafikut, 28 të pandehur u shpallën fajtorë për organizimin e kalimit të paligjshëm të shqiptarëve

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 155 vite burg në total 28 persona, të shpallur fajtorë për veprën penale të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Atalanda Zeqiraj.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi ka vepruar përgjatë viteve 2022 deri në 2024, duke organizuar kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë deri në 10 mijë euro.
Prokuroria thotë se rrjeti siguronte dokumente të falsifikuara dhe, me ndihmën e ndërmjetësve, organizonte udhëtimet në rrugë tokësore, ajrore dhe detare. Për këtë aktivitet përdoreshin edhe agjencitë e udhëtimit “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilat sipas SPAK bashkëpunonin për transportimin e emigrantëve dhe dokumenteve false.
Sipas dosjes hetimore, shqiptarët udhëtonin fillimisht me dokumentet e tyre të rregullta drejt vendeve të zonës Schengen, kryesisht në Spanjë, ku më pas merrnin me postë dokumentet e falsifikuara që u mundësonin udhëtimin drejt Britanisë së Madhe ose Irlandës.
Gjatë hetimeve u zbulua edhe një laborator falsifikimi në Tiranë, i pajisur me kompjuterë, printera dhe 37 vula të institucioneve shtetërore e private, që përdoreshin për prodhimin e dokumenteve false.
Ndër personat e përfshirë ishte edhe Ylli Ibrahimaj, i cili, sipas SPAK, vijonte falsifikimin e dokumenteve nga banesa edhe gjatë kohës që ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Me vendimin e GJKKO-së, 28 të pandehurit janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar në total me 155 vite burg.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/