GJKKO dënon me gjobë 9 mijë euro deputetin Qani Xhafa, drejtoi automjetin në gjendje të dehur

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor dhe ka dënuar të enjten deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa, me një gjobë prej 900.000 lekësh (9 mijë euro) për akuzën e drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, konkretisht në gjendje të dehur.
Vendimi u mor pas një gjykimi të shkurtuar, ku Xhafa pranoi aktet e dosjes. Fillimisht, dënimi ishte 9 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u zbrit në 6 muaj. Në fund, gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, e konvertoi dënimin me burgim në gjobë, duke llogaritur një ditë burg me pesë mijë lekë.
Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kishte kërkuar një dënim përfundimtar me 6 muaj burg, dënim ky që do të pezullohej dhe do të konvertohej në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare. Nga ana tjetër, mbrojtja e Qani Xhafës kërkoi dënimin me gjobë ose me punë në interes të publikut.
Sipas verdiktit të GJKKO-së, deputeti duhet ta paguajë gjobën brenda 10 ditëve pasi vendimi të marrë formën e prerë (nëse mbetet në fuqi nga shkalla e dytë).
Detaje të ngjarjes dhe hetimit
Akuzat ndaj deputetit Xhafa lidhen me një ngjarje të ndodhur në mars të vitit 2023. Nga hetimet e SPAK rezultoi se Xhafa, teksa drejtonte në gjendje të dehur një makinë tip “Toyota” në Bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
Policia e arrestoi ligjvënësin opozitar pas ngjarjes, por ai u lirua një ditë më pas dhe u la për hetim në gjendje të lirë. Qani Xhafa mori mandatin e deputetit si zëvendësues i ish-deputetit, Luçiano Boçi, i cili në atë kohë kandidoi për kryebashkiak në Elbasan.
Më 20 mars të këtij viti, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe e kaloi dosjen ndaj deputetit demokrat për gjykim në GJKKO.
/rtsh.al/