GJKKO kërkesë KLGJ: Të bëhen ndërhyrje ligjore për të parandaluar zvarritjen e gjykimeve nga bojkoti i avokatëve

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën për ndërhyrje ligjore për të parandaluar zvarritjen e gjykimeve nga bojkotet e avokatëve dhe për të garantuar mbrojtjen efektive të individit.
Në kërkesën drejtuar KLGJ-së, GJKKO kërkon që nevoja për ndryshime ligjore t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Ndërhyrjet e propozuara synojnë garantimin e vijimësisë së gjykimeve, përmbushjen e detyrimeve profesionale të mbrojtjes dhe respektimin e të drejtave procedurale të individëve.
Një tjetër propozim i gjykatës lidhet me përfaqësimin e magjistratëve në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë, mbi bazën e parimit të paritetit dhe reciprocitetit institucional. Sipas GJKKO-së, një përfaqësim i tillë do të ndihmonte në forcimin e bashkërendimit mes institucioneve që kontribuojnë në administrimin e drejtësisë.
Gjykata thekson se e drejta e protestës është një liri themelore, ushtrimi i së cilës duhet të respektojë ligjin, parimin e proporcionalitetit dhe të drejtat e të tjerëve.
“Thirrja për protestë kolektive, drejtuar avokatëve, nuk përbën grevë në kuptimin e legjislacionit të punës dhe nuk pezullon detyrimet profesionale ndaj klientit dhe gjykatës. Pjesëmarrja në protestë mbetet zgjedhje e lirë dhe individuale. Liria për të protestuar përfshin edhe lirinë për të mos protestuar”, thekson GJKKO.
Gjykata vlerëson se mosparaqitja kolektive e avokatëve në seanca, kur pengon zhvillimin e gjykimeve dhe garantimin e mbrojtjes efektive, mund të bjerë ndesh me kërkesat e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit, veçanërisht në çështjet që lidhen me lirinë personale. Megjithatë, ajo nënvizon se ky vlerësim lidhet me mënyrën e ushtrimit të protestës dhe pasojat e saj, pa cenuar të drejtën e avokatëve për të shprehur kundërshtimin përmes formave të tjera të ligjshme.
GJKKO bën të ditur se do të vijojë të marrë masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për të garantuar mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e gjykimeve brenda një afati të arsyeshëm.
“Gjykata ka marrë dhe do të vijojë të marrë masat që parashikon legjislacioni në fuqi për të garantuar mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e gjykimeve brenda një afati të arsyeshëm. Krahas këtyre masave, ndërhyrja e propozuar synon të krijojë garanci më të qarta ligjore për të parandaluar përsëritjen e situatave që mund të pengojnë funksionimin e drejtësisë dhe të cenojnë të drejtat procedurale të individit”, thekson GJKKO.
Kërkesa shoqërohet me një relacion analitik ku shqyrtohen legjislacioni shqiptar, jurisprudenca vendase dhe ndërkombëtare, si dhe praktikat krahasuese, në mbështetje të ndërhyrjeve ligjore të propozuara.
/m.q/j.p/