E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO lë në burg Uljan Shpatarakun, ish-zyrtari i Policisë akuzohet për përkrahje të Ergys Agasit

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpataraku, i arrestuar dy ditë më parë në Durrës në shoqërinë e biznesmenit Ergys Agasi.

Shpataraku u ndalua në zonën e Plepave, teksa drejtonte automjetin me të cilin udhëtonte edhe Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Sipas SPAK, ndaj ish-punonjësit të Policisë është ngritur akuza për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të shtunë (29 gusht) në GJKKO, ndërsa më herët avokati i Shpatarakut ishte paraqitur në ambientet e gjykatës.

Pas arrestimit, autoritetet kryen kontrolle edhe në banesën e ish-zyrtarit të Policisë, ku u sekuestruan 7 armë zjarri, konkretisht 3 pistoleta, 2 armë gjahu dhe 2 pushkë. Sipas të dhënave të publikuara, armët disponoheshin me leje, ndërsa më pas Shpatarakut iu hoq leja e armës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›