E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndezi zjarrin në Tërbaç dhe u përhap në Vranisht, arrestohet 25-vjeçari i dyshuar për zjarrvënie

Një 25-vjeçar është arrestuar nga Policia e Himarës, pasi dyshohet se ka ndezur zjarrin në fshatin Tërbaç, i cili më pas u përhap edhe në territorin e fshatit Vranisht.

Ngjarja është shënuar më 26 gusht, në vendin e quajtur “Lugu i Thatë”, në Tërbaç. Pas marrjes së njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë shkuan në vendngjarje, duke mbështetur forcat zjarrfikëse për neutralizimin e flakëve.

Ndërkohë, policia nisi hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe identifikimin e autorit. Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri përfshiu edhe territorin e fshatit Vranisht, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjellë, si dhe bimësi të egër e pyjore.

Pas veprimeve të thelluara hetimore dhe administrimit të provave materiale, policia identifikoi si autor të dyshuar shtetasin A. B., 25 vjeç, banues në fshatin Tërbaç.

Në përfundim të hetimeve, 25-vjeçari u arrestua dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Policia e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›