GJKKO shpall të pafajshme kryebashkiaken e PS-së, Majlinda Bufi

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të pafajshme kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila ishte marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për krimet zgjedhore.
GJKKO shpalli të pafajshme Bufin për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, për të cilën akuzohej nga SPAK.
Çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa vendimi u dha sot nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të Bufit, duke arsyetuar se nuk u provua se e pandehura kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Sa i përket provave materiale, gjykata urdhëroi që një USB, e cila përmban një dosje me emrin “Roskoveci”, ku janë të ruajtura tre skedarë video dhe dy skedarë audio, të mbetet pjesë e dosjes gjyqësore.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve, afat që fillon nga dita pas njoftimit të vendimit.
/m.q/j.p/r.e/