E Diel, 1 Nëntor 2026

GJND jep sot mendimin këshillues për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës



Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të japë sot mendimin e saj këshillues lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë të Kosovës. Mendimi këshillëdhënës i institucionit më të lartë juridik të OKB-së, nuk është i detyrueshëm, megjithatë ai ka një peshë të rëndësishme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, njohjet e reja të Kosovës dhe procesin e integrimeve të këtyre vendeve në NATO dhe Bashkimin Europian. Pavarësia e shpallur me 17 Shkurt të vitit 2008 është njohur nga 69 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 22 prej të cilave janë vende anëtare të BE-së. Serbia dhe Rusia janë kundër njohjes së pavarësisë.
Prishtina
Kosova do të përfaqësohet nga ministri i jashtëm, Skënder Hyseni, i cili është shprehru optimist se Serbia më në fund do ta kuptojë se Kosova është një fakt dhe fakti është se Kosova është një shtet i njohur nga shumë vende, madje njohje të reja e presin pas vendimit të Hagës. “Nuk po kërkojmë njohjen nga ana e Serbisë, po kërkojmë që Serbia të njohë faktet, që Kosova është shtet i njohur zyrtarisht nga shumë vende të botës dhe Kosova do të bëhet nje anëtare e komunitetit ndërkombëtar në të gjitha nivelet. Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën në çështjet me interes të përbashkët, shprehet Hyseni.
Beogradi
Ndërkaq, homologu i tij serb Vuk Jeremiç shprehet se: “E enjtja është një ditë e madhe sepse më në fund të kuptojmë nëse kufijtë e vendeve anëtare të OKB-së do të jenë të sigurta. Do të kuptojmë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është një veprim i drejtë. Pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së të debatojë dhe të arrijë një konkluzion për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, rruga për negociata të reja për të ardhmen e Kosovës do të jetë e hapur”, shprehet Jeremiç. Ndërkohë, ish-ministri i jashtëm i Serbëisë, Vuk Drashkoviç shpreh mendimin se Serbia dhe Kosova duhet të ndërtojnë raporte të mira. Në një intervistë gazetën austriake "Die Presse", Drashkoviç pohon se raporte të mira mes këtyre dy vendeve mund të ketë edhe pa njohjen e Kosovës prej Serbisë.

BOX
SHBA-të me plan të ri, përgatitin 40 njohje për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se do të bindin 40 shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe ky veprim do të ndodhë pasi Haga të janë mendimin këshillues për këtë çështje. Në këtë mënyrë SHBA-të pretendojnë të prishin planet e Serbisë për Rezolutën që do të kërkonte negociata të reja në OKB. Kur më 15 shtator Serbia do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kosova do të jetë njohur nga 110 shtete, në mënyrë që të arrihet shumica aty. Në këtë takim që Beogradi e konsideron shans për pretendimet e tij, Kosova mund të kërkojë një vend si anëtare në OKB. Ballafaqimi i parë i madh i Serbisë me Amerikën do të jetë në fund të këtij muaji në Ugandë, në Samitin e Afrikës. Përndryshe, në ditën e vendimit, në kishat serbe do të ketë lutje masive dhe do të dëgjohen kambanat.

Mal i Zi
Dyshime për varrezë masive, nisin hetimet

Autoritetet në Mal të Zi kanë filluar hetimet lidhur me dyshimet se në pjesën qendrore të qytetit të Andrijevicës ndodhet një varrezë masive me kufoma të shqiptarëve të Kosovës. Njoftohet se në një fushë të druve, që më herët kishe shërbyer si qendër e grumbullimit të mbeturinave, tashmë janë zbuluar eshtra. “Nëqoftëse gjetjet dëshmohen si të sakta, do të caktohet ekzaminimi i kufomave nga ekspertë të mjekësisë ligjore," ka deklaruar për median e Podgoricës zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje, Biljana Çoviç.

SHBA
Vendosin sanksione të reja mbi Korenë e Veriut

Shtetet e Bashkuara po vendosin një seri të re sanksionesh ekonomike mbi Korenë e Veriut ndërsa po shton trysninë mbi regjimin e izoluar pas fundosjes së një anije luftarake koreanojugore. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton njoftoi sanksionet dje në Seul pasi ajo dhe sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts zhvilluan bisedime me homologët koreanojugor. Zonja Klinton tha se sanksionet e reja synonin të ndalnin aktivitetet e paligjshme të regjimit, përfshi tregtinë e armëve dhe mallrave luksoze që financojnë programin e tij bërthamor.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›