Haradinaj në paraburgim në Hagë, pritet rigjykim i pjesshëm
Dhoma e apelit të Tribunalit të Hagës për krime lufte urdhëroi dje paraburgim për Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balaj, duke shfuqizuar vendimet e mëparshme ku të akuzuarit u shpallën të pafajshëm. Dhoma e Apelit me shumicë votash ka urdhëruar rigjykim të pjesshëm lidhur me rastin. Apeli pranoi ankesën e prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të shfrytëzuar të gjitha rrugët në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë të rastit. Apeli ka arritur në përfundimin se Gjykata ka dështuar në marrjen e masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve. Dhoma e Apelit ka hedhur poshtë apelin e prokurorisë lidhur me akuzat e tjera.
Gjykata ka vendosur paraburgimin e Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt deri në një vendim të ardhshëm.
Ndërkohë, koordinatori i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj, Majkëll O’Relli, përmes një komunikate për media, ka thënë se ekipi është i befasuar me vendimin e sotëm të Dhomës së Apelit. “Ekipi Mbrojtës i Haradinajt është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin, kjo është diçka që ne s’kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij unanim të para dy viteve”, është shprehur O’Relli. “Për ne tanimë çështjet më me rëndësi janë, së pari, që të sigurojmë kthimin e shpejtë të z. Haradinaj në Kosovë dhe, së dyti, të caktohet sa më shpejt data e rigjykimit të pjesshëm”, ka thënë O’Relli, duke sqaruar se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër, pasi që ekipi mbrojtës ta ketë studiuar të gjithë materialin. Ndryshe, Majkëll O’Relli, ka cituar një deklaratë të Haradinajt para shkuarjes në Hagë, i cili kishte theksuar se zhvillimet e fundit rreth rastit të tij duhet të shihen në një kontekst më të gjerë. “Kosova ka bërë progres të madh, dhe ne duhet të vazhdojmë të besojmë në institucionet ndërkombëtare përkundër kthimeve prapa të përkohshme”, është cituar të ketë thënë Haradinaj.
22 Korrik 2010